Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës i ka reaguar komunës së Prishtinës që një ditë më parë u bëri thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë kësaj të diele për shkak të paralajmërimeve për erëra të forta.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës thotë se njoftimi i komunës së Prishtinës për erëra të forta për sot, nuk është i mbështetur në parashikimin e motit nga IHMK.
“Njoftohet opinioni publik se ky njoftim i Publikuar nga Komuna e Prishtinës përmes Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, e të cilët thirren në parashikimim e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës nuk qëndron, pra IHMK nuk e ka bërë një parashikim të tillë”, thuhet në reagimin e këtij instituti.
Sipas tyre, në parashikimin e tyre të dhënë për datat 24 dhe 25 Janar 2025 nuk është dhënë ky njoftim për rreziqe nga erërat.
“IHMK ka parashikuar erëra me shpejtësi të lehtë deri në mesatare që do të krijojnë kushte që nga nesër (e Hënë) të sjellin reshje të shiut”, thotë IHMK në reagimin ndaj Komunë së Prishtinës.
Një ditë më parë komuna e Prishtinës u bëri thirrje qytetarëve për kujdes derisa kanë dhënë edhe udhëzime dhe këshilla për qytetarët.




