Gjatë takimit, u diskutuan zhvillimet e fundit politike në vend, sfidat aktuale me të cilat përballet Kosova, si dhe marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë. Abdixhiku theksoi se Sllovenia mbetet një partnere e rëndësishme dhe një mbështetëse e fuqishme e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimeve euroatlantike.

Kryetari i LDK-së vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe shprehu mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të Sllovenisë. Ai gjithashtu i uroi ambasadorit Blaj mirëseardhje në Kosovë dhe suksese në misionin e tij diplomatik, duke theksuar gatishmërinë e LDK-së për bashkëpunim të ngushtë në funksion të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.