India dhe Bashkimi Evropian kanë finalizuar një marrëveshje të madhe të tregtisë së lirë, thanë sot zyrtarë të qeverisë indiane, rreth dy dekada pasi negociatat nisën për herë të parë.

 

Përballë sfidave nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara, Brukseli dhe Nju Delhi kanë kërkuar lidhje më të ngushta duke prodhuar një pakt që do të prezantohet nesër në kryeqytetin indian.

Sot, në paradën e Ditës së Republikës së Indisë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa u pritën si mysafirë nderi dhe do të zhvillojnë një samit me kryeministrin indian, Narendra Modi.

“Nivelit zyrtar të negociatave po i afrohet fundi dhe të dyja palët janë gati të shpallin përmbylljen e suksesshme të bisedimeve gjatë samitit të nesërm”, tha sekretari indian i tregtisë, Rajesh Agrawal.

BE-ja ka parë Indinë, vendin më të populluar në botë, si një treg të rëndësishëm për të ardhmen, ndërsa Nju Delhi e sheh bllokun evropian si një burim të rëndësishëm teknologjie dhe investimesh të domosdoshme për të zhvilluar infrastrukturën dhe krijuar miliona vende pune.

Sipas të dhënave të BE-së tregtia bilaterale e mallrave arriti në 120 miliardë euro (139 miliardë dollarë) në 2024, një rritje prej pothuajse 90 për qind gjatë dekadës së fundit, me 60 miliardë euro (69 miliardë dollarë) të tjera në tregtinë e shërbimeve.

Sipas marrëveshjes, pritet që India të lehtësojë qasjen në treg për produktet kyçe evropiane, përfshirë automobilat dhe verën, në këmbim të lehtësimit të eksporteve të tekstileve dhe farmacisë, ndër të tjera.