Një agjent i ICE-së në Minneapolis qëlloi dhe vrau 37-vjeçarin Alex Pretti, një teknik mjekësor në njësinë e kujdesit intensiv, dy javë pasi një agjent tjetër i ICE-së vrau një grua më parë, mes protestave masive kundër goditjes së imigracionit nga administrata e Presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Kandidati republikan për guvernator i Minesotës, Chris Madel, u tërhoq nga gara sot për shkak të asaj që ai e quajti “një hakmarrje e paralajmëruar republikane kundër qytetarëve të shtetit tonë”, raporton The Minnesota Star Tribune. “Nuk mund të konsiderohem anëtar i një partie që do ta bënte këtë”, tha Madel në një postim video.
Madel, një avokat i Minneapolis, tha se më parë kishte mbështetur përpjekjet e shtuara të Minesotës për zbatimin e ligjit për imigracionin, duke synuar kriminelët e rëndë. Por ai tha se operacioni “është zgjeruar shumë përtej fokusit të tij të deklaruar në kërcënimet reale për sigurinë publike”.
“Qytetarët e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht ata me lëkurë më të errët, jetojnë me frikë. Qytetarët e Shteteve të Bashkuara mbajnë dokumente për të vërtetuar shtetësinë e tyre. Kjo është e gabuar”, vuri në dukje ai. Përpara se të tërhiqej nga gara, Madel u shndërrua nga një “figurë politike relativisht e panjohur” në favoritin e zgjedhjeve.
Fushata e tij bazohej në mbështetje të fortë për zbatimin e ligjit. Gazeta tha se ai madje i dha këshilla ligjore Jonathan Ross, agjentit të ICE-së që vrau Renee Good. Minnesota Star Tribune e përshkroi vendimin e tij si tronditës.
Siç kemi raportuar, po rritet presioni mbi Shtëpinë e Bardhë për të nisur një hetim për vrasjen e dytë në Minneapolis në javët e fundit.
Këto thirrje nuk vijnë vetëm nga demokratët, por edhe disa republikanë kanë filluar të anojnë nga hetimi.
Senatorja republikane e Alaskës, Lisa Murkowski, tha se nevojitet një “hetim gjithëpërfshirës dhe i pavarur për të shtënat”, duke shtuar se kjo do të ndihmonte në “rivendosjen e besimit” dhe se “agjentët e ICE nuk kanë diskrecion të pakufizuar”.
Një kërkesë e ngjashme për një “hetim të plotë dhe të paanshëm” u bë nga senatori republikan nga Karolina e Veriut, Thom Tillis, duke thënë se “çdo zyrtar i administratës që nxitohet të nxjerrë përfundime dhe përpiqet ta ndalojë hetimin përpara se të ketë filluar, po i bën dëm të madh vendit”.
Senatori i Pensilvanisë, Dave McCormick, bëri thirrje gjithashtu për një hetim të plotë, por vuri në dukje se ai mbështet ICE-në dhe “punën e rëndësishme që bën agjencia”, duke shtuar se “retorika e papërgjegjshme dhe mungesa e bashkëpunimit nga politikanët e Minesotës po nxit një situatë të rrezikshme”.
Ndërkohë, senatori i Nebraskës, Pete Ricketts, e përshkroi të shtënat si një “situatë të tmerrshme” dhe bëri thirrje për një “hetim transparent”.



