Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, vendosën kurorë me lule pranë pllakës që shënon sinagogën e fundit në Kosovë, e cila ishte pjesë e çarshisë së vjetër të Prishtinës.
Kurti ka theksuar se kjo ditë i kushtohet përkujtimit të të gjitha viktimave të Holokaustit, që u vranë, u dogjën në krematoriume apo humbën jetën nga kushtet çnjerëzore në kampet e përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai ka nënvizuar se këto krime mizore çuan në njohjen ndërkombëtare të konceptit të gjenocidit.
“Këto krime mizore dhe vuajtje çnjerëzore i dhanë njohje ndërkombëtare konceptit të gjenocidit,” ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se, duke qenë edhe vetë viktimë e gjenocidit, dëbimit dhe spastrimit etnik, populli i Kosovës ka treguar gjithmonë empati të veçantë ndaj popujve që kanë përjetuar krime të tilla.
Sipas Kurtit, përkujtimi i viktimave të Holokaustit bëhet për të mos harruar vuajtjet dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.




