Në rigjykimin ndaj Muhamet Alidemajt, i akuzuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, Prokuroria Speciale dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar kanë kërkuar aktgjykim dënues, ndërsa mbrojtja ka insistuar në pafajësi.
Prokurori special, Ilir Morina, në fjalën e tij përfundimtare, ka theksuar se provat e administruara gjatë procesit gjyqësor dëshmojnë përfshirjen aktive të të akuzuarit në ngjarjet e rënda të marsit 1999 në fshatin Izbicë.
“Me 28 mars 1999 u ekzekutuan 130 civilë shqiptarë, gratë dhe fëmijët u dëbuan në drejtim të Shqipërisë, shtëpitë u dogjën sistematikisht. I pandehuri Alidemaj vullnetarisht iu bashkohet forcat ushtarake serbe. Ai mori pjesë në veprime që përfshijnë vrasje, tentimvrasje, dëbim masiv”, ka deklaruar Morina.
Sipas tij, roli i Alidemajt ka qenë i rëndësishëm për shkak të njohjes së terrenit dhe banorëve lokalë.
“Provat e administruara tregojnë se i pandehuri ishte banor lokal, njohës i terrenit. Ditën e ngjarjes ishte i armatosur dhe i pranishëm. Mori pjesë aktive në maltretime, plaçkitje, mbikëqyrjen e popullsisë së grumbulluar”, ka deklarar ai. Sipas tij, “prania e një bashkëpunëtori lokal e ka bërë më efikas planin kriminal”.
Aktgjykim dënues ka kërkuar edhe përfaqësuesi i viktimave, avokati Veton Rudaku, i cili ka mbështetur plotësisht qëndrimin e Prokurorisë.
“Mbështes fjalën e prokurorit, kemi ardhur në përfundim se i akuzuari Muhamet Alidemaj ka kryer veprën penale në Masakrën e Izbicës. Dëshmitarët e identifikuan dhe ia bën me gisht si person që e kishin parë në fshatin Izbicë duke u paraprirë forcave ushtarake serbe…I akuzuari në asnjë rast nuk shpreh keqardhje për ngjarjen e rëndë. I propozojmë Gjykatës të shpallë aktgjykim dënues”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, mbrojtja e Muhamet Alidemajt ka kërkuar aktgjykim lirues. Avokati Millosh Deleviq, si dhe avokati tjetër mbrojtës Dejan Vasiq, kanë insistuar se i mbrojturi i tyre nuk ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Gjykata pritet të marrë vendim pas shqyrtimit të argumenteve të palëve.
Rasti i Izbicës, Sot fjalët përfundimtare për Muhamet Alidemajn
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, po zhvillohet seanca vendimtare në procesin gjyqësor ndaj Muhamet Alidemajt, i akuzuar për krime lufte në Izbicë gjatë luftës në Kosovë.
Në këtë seancë, palët pritet të paraqesin fjalët e tyre përfundimtare, para se trupi gjykues të marrë vendim lidhur me të akuzuarin.
Alidemaj ishte shpallur fajtor në vitin 2024 dhe ishte dënuar me 15 vjet burgim nga Gjykata Themelore. Por, Gjykata e Apelit e kishte anuluar këtë aktgjykim dhe e kishte kthyer lëndën në rigjykim, duke vlerësuar se vendimi i shkallës së parë nuk kishte arsyetim të mjaftueshëm për faktet kyçe të çështjes.
Sipas aktakuzës, më 28 maj 1999, Alidemaj dyshohet se, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave serbe, ka marrë pjesë në masakrën e Izbicës në komunën e Skenderajt, një nga ngjarjet më të rënda të luftës.




