Gjatë bisedës, përfaqësuesit e platformës shpjeguan qëllimin dhe aktivitetet e tyre, duke u fokusuar veçanërisht në Marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Eliza Hoxha theksoi se marshimi synon të sjellë një mesazh të qartë për drejtësi të paanshme.

“Kërkojmë që zëri i qytetarëve të Kosovës të dëgjohet fuqishëm më 17 shkurt”, tha ajo.

Ndërsa Ismail Tasholli nënvizoi rëndësinë e mobilizimit në të gjitha komunat.

“Marshi ‘Drejtësi, jo politikë’ është një reagim i domosdoshëm kundër shndërrimit të drejtësisë në instrument politik”, tha ai.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, shprehu mbështetje për nismën qytetare, duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes së dinjitetit të luftës çlirimtare dhe parimeve të drejtësisë.

“Drejtësia duhet të jetë e drejtë dhe e barabartë për të gjithë. Kjo është një kauzë që meriton mbështetje”, tha Latifi.

Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet në të gjithë Kosovën, me synimin për të mobilizuar qytetarët dhe për të siguruar pjesëmarrje masive në Marshin e 17 shkurtit, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.