Në një postim në Facebook, Veliu ka vlerësuar se Dega e Podujevës ndodhet në një krizë të thellë, e reflektuar përmes humbjeve të njëpasnjëshme zgjedhore dhe humbjes së besimit të anëtarësisë ndaj udhëheqjes aktuale.

Sipas tij, për më shumë se tri dekada Dega e LDK-së në Podujevë ka qenë shembull i organizimit dhe suksesit politik, ndërsa zhvillimet e viteve të fundit janë pasojë e vendimeve të imponuara dhe mungesës së demokracisë së brendshme.

Ai thekson se pas ndryshimeve në udhëheqje, Degës i janë imponuar vendime kundërstatutore dhe pa legjitimitet, gjë që ka sjellë humbje elektorale, demotivim dhe largim të anëtarësisë. Për herë të parë, sipas tij, LDK-ja në Podujevë ka mbetur pa përfaqësim në Kuvendin e Kosovës.

“Pas largimit tim dhe marrjes së kompetencave të kryesisë, me një vendim kundërstatutor dhe të padrejtë, Degës i janë imponuar vendime të mbyllura, përjashtuese dhe pa legjitimitet.Rezultati është i qartë: humbje, demotivim dhe largim i anëtarësisë.Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare, Dega e LDK-së në Podujevë nuk është e përfaqësuar me deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.Prandaj, sot bëj thirrje të hapur dhe publike për ndryshime të menjëhershme në Degën e LDK-së në Podujevë”, ka shkruar Veliu.

Sipas tij, në këtë situatë janë të domosdoshme të ndërmerren disa veprime .

“Marrje përgjegjësie politike për dështimet e njëpasnjëshme, hapje e Degës ndaj anëtarësisë, jo drejtim i mbyllur dhe i kapur nga interesa personale,  zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, pa imponime dhe pa lista të parapërgatitura, rikthim i unitetit, meritokracisë dhe respektit për kontributin e secilit”, ka shkruar Veliu duke shtuar se partia nuk i përket një individi, apo një grupi të vogë dhe sipas tij ,kjo thirrje është për shpëtim politik të LDK-së.