Policia në Mitrovicën veriore gjeti sot armë, municion dhe mjete të tjera ilegale gjatë kontrollit të një shtëpie të braktisur në lagjen Bërxhane. Gjatë aksionit u sekuestruan karikatorë, fishekë, minë kundër këmbësorik me detonator, armë të gjata dhe pajisje ushtarake.
Drejtoria Rajonale e Mitrovicë Veri, gjatë kryerjes së detyrave të rregullta policore dhe pas informacioneve nga qytetarët, ka realizuar një aksion më 28.01.2026, ku gjatë kontrollit në një shtëpi të braktisur në lagjen Bërxhane janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe mjete të tjera ilegale.
Sipas Policisë, janë sekuestruar:
Një karikator të zbrazët për armë të gjata
Një bajonet
Shishe plastike e mbushur me saqme
Kapsula për fishek
Sasi e barutit
Një rryp brezi ushtarak
Një minë kundër këmbësorik
Pjesë për mbushje të fishekeve
Detonator për minë
Targa të automjetit të ish-Milicisë
Tre fishek të armës së gjuetisë
Trembëdhjetë (13) fishek të kalibrave të ndryshëm
Dy (2) fishek të kalibrit 12.7 mm
Dy (2) fishek të kalibrit 20 mm
Dy (2) gëzhoja të kalibrit 12.7 mm
Një xhaketë ushtarake dimërore
Një palë doreza ushtarake
Katër këmisha të Policisë së Serbisë
Policia thekson se, “pasi që në dëshmitë e gjetura është hasur material i rrezikshëm eksplozues, në vendngjarje kanë dalë Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksploduese (NJTME), të cilët kanë tërhequr sasinë e barutit, fisheket e kalibrave 12.7 mm dhe 20 mm, si dhe minën kundër këmbësorik me detonatorin.”
Rasti është njoftuar Prokurorit të Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e tij për veprën penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia thekson se nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime, dhe fton qytetarët që çdo informacion që ndihmon në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike ta raportojnë në numrin emergjent 192.




