Filharmonia e Kosovës sjell në Prishtinë veprën madhore të repertorit vokal – instrumental “Petite Messe Solennelle” të Gioacchino Rossinit. Koncerti mbahet më 30 janar 2026 (e premte), në ora 19:30, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit – Atelie, në kuadër të Sezonit 2025/2026.
Nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, koncerti realizohet me pjesëmarrjen e Korit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit – Tiranë, të përgatitur nga dirigjenti Dritan Lumshi, Korit të Filharmonisë së Kosovës, si dhe me solistët Svetlana Aksenova (soprano), Enkeleida Shkoza (mezosoprano), Klodjan Kaçani (tenor) dhe Rubén Amoretti (bas). Koret shoqërohen nga Pranvera Hoxha (harmonium) dhe pianistët Andi Duraku dhe Lekë Salihu.
Ky koncert shënon vazhdimësinë e bashkëpunimit artistik ndërmjet Filharmonisë së Kosovës dhe Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit – Tiranë.




