Mbi 85 milionë euro do të jetë kostoja shtesë për bizneset pas rritjes graduale të pagës minimale gjatë vitit 2026, sipas analizës së Institutit GAP të quajtur “Kush ndikohet nga rritja e pagës minimale në vitin 2026”.
Sipas këtij Instituti, kjo rritje përfaqëson rreth 2% të faturës totale të pagave në ekonomi.
“Nga kjo rritje pritet të përfitojnë drejtpërdrejt mbi 130 mijë punëtorë me orar të plotë, që përbëjnë rreth 36% të të gjithë të punësuarve me orar të plotë në Kosovë. Përveç tyre, të prekur nga kjo masë do të jenë edhe punëtorët me orar të pjesshëm”, njofton GAP.
Më tej ata theksojnë se sektorët më të ndikuar nga kjo rritje përfshijnë industrinë e ushqimit dhe pijeve, tregtinë me pakicë, etj., ku përqendrimi i punëtorëve me paga më të ulëta është më i lartë.
“Mosha mesatare e punëtorëve që përfitojnë nga rritja e pagës minimale është 37 vjeç, që tregon se përfituesit kryesorë janë punëtorët e moshës së mesme, të cilët, pavarësisht përvojës në tregun e punës, ende marrin paga në nivelin minimal. Nga aspekti gjinor, burrat përbëjnë shumicën e përfituesve, me 59% në fazën e parë dhe 56% në fazën e dytë të rritjes, ndërsa gratë përfaqësojnë përkatësisht 41% dhe 44% të përfituesve”, vazhdon Instituti.




