Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, zhvilloi një takim konstruktiv me Hubert Perr, Shef i sapoemëruar i Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, i shoqëruar nga ekipi i tij.
Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e tij ndaj Perr dhe Zyrës së BE-së për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e shkëlqyer, duke vlerësuar njëkohësisht partneritetin e fuqishëm të BQK-së me Bankën Qendrore Evropiane (BQE) dhe me drejtoritë përkatëse të Komisionit Evropian në mbështetje të zhvillimit të sektorit financiar të Kosovës.
“Guvernatori Ismaili e informoi z. Perr për progresin e arritur drejt integrimit të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), pavarësisht sfidave të reja ligjore, duke theksuar se ky proces do të rrisë ndjeshëm efikasitetin e sistemeve të pagesave dhe do të sigurojë përputhshmëri të plotë me standardet e Bashkimit Evropian.
Po ashtu, ai theksoi përpjekjet e intensifikuara të BQK-së në avancimin e legjislacionit dhe reformave mbikëqyrëse, forcimin e sovranitetit financiar dhe monetar, si dhe në luftimin e falsifikimit të monedhës euro”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Gjatë diskutimeve u ofruan edhe përditësime mbi zhvillimet legjislative, përfshirë Ligjin e ri për Bankat, nevojën për rishqyrtimin e Ligjit për Shërbimet e Pagesave, si dhe miratimin e Ligjit të përditësuar për Parandalimin e Pastrimit të Parave (AML).
Guvernatori Ismaili dhe Perr vlerësuan arritjen e rëndësishme të realizuar gjatë vitit të kaluar në luftën kundër falsifikimit të euros, në kuadër të projektit TAIEX, përmes përgatitjes së bazës ligjore dhe institucionale.
Gjithashtu, Guvernatori Ismaili e informoi Perr për aktivitetet e BQK-së lidhur me Sistemin e Kartonit të Gjelbër, duke theksuar rolin e tij në mbështetjen e mbulimit ndërkombëtar të sigurimeve dhe lehtësimin e lëvizshmërisë ndërkufitare.
“Nga ana e tij, Perr mirëpriti progresin e prezantuar dhe rikonfirmoi përkushtimin e Bashkimit Evropian për të mbështetur reformat institucionale të Kosovës, përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm, asistencës teknike dhe përafrimit me standardet evropiane, duke e vlerësuar BQK-në si një partner shumë të angazhuar dhe të çmuar”, thuhet në njoftim.



