Komisioni Evropian prezantoi sot strategjinë e parë pesëvjeçare për menaxhimin e azilit dhe migracionit me tre objektiva kryesore politike. Parandalimi i migracionit të paligjshëm, mbrojtja e njerëzve që ikin nga lufta dhe persekutimi dhe tërheqja e ekspertëve për të rritur konkurrueshmërinë ekonomike.
“Ne duhet të ruajmë reduktimin e mbërritjeve të paligjshme, duke promovuar njëkohësisht rrugët ligjore drejt BE-së. Të dyja janë të nevojshme për funksionimin e sistemit tonë dhe përparimin e shoqërive dhe ekonomive tona”, tha Zëvendëspresidentja Ekzekutive e Komisionit, Henna Virkkunen.
“Për të mbrojtur ata që kanë vërtet nevojë për mbrojtje dhe për të fituar garën globale për mendjet më të mira, ne duhet të kontrollojmë në mënyrë efektive kufijtë tanë, të kufizojmë migrimin e paligjshëm dhe të parandalojmë abuzimin e sistemeve tona”, tha Komisioneri për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner.
Pesë prioritete për pesë vitet e ardhshme
Në strategjinë për pesë vitet e ardhshme, Komisioni përcaktoi pesë prioritete. E para është forcimi i përpjekjeve diplomatike me vendet e origjinës dhe tranzitit të migrantëve. Kjo përfshin përdorimin e levave të tilla si politika e vizave, tregtia dhe mbështetja financiare për të inkurajuar vendet e treta të bashkëpunojnë. Pastaj, forcimin e luftës kundër kontrabandës së migrantëve për të parandaluar udhëtimet e rrezikshme në të cilat shumë humbasin jetën.
Prioriteti i dytë është forcimi i menaxhimit të kufijve të jashtëm për të monitoruar në mënyrë efektive se kush hyn në BE, gjë që është thelbësore për ruajtjen e zonës Shengen. Një hap i madh përpara është bërë tashmë me futjen e Sistemit të Hyrjes/Daljes (EES), dhe Sistemi i ri Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) pritet të zbatohet këtë vit. Gjithashtu parashikohet të forcohet roli i Frontex, agjencisë kufitare të BE-së.
Prioriteti i tretë është zbatimi i Paktit për Migracionin dhe Azilin, i cili përfaqëson politikën thelbësore të BE-së për azilin dhe migracionin, duke siguruar mbrojtje më të fortë të kufijve të jashtëm, rregulla të rrepta kundër abuzimit dhe një ekuilibër midis përgjegjësisë dhe solidaritetit.
Prioriteti i katërt është kthimi efektiv i migrantëve që nuk kanë të drejtë për mbrojtje ndërkombëtare, dhe i pesti është tërheqja e ekspertëve me qëllim që BE-ja të jetë vendi më tërheqës në garën globale për talente.




