Komuna e Prishtinës ka ofruar mbështetje për Ndërmarrjen Komunale “Pastrimi”, me qëllim të grumbullimit dhe largimit të mbetjeve inerte dhe vëllimore nga deponitë ilegale në territorin e kryeqytetit.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka njoftuar se kjo mbështetje erdhi pas kërkesës së ndërmarrjes, për shkak të vështirësive të vazhdueshme në menaxhimin e grumbullimit të mbeturinave.
Sipas Ramës, KRM “Pastrimi” Sh.A. është përballur me pamundësi teknike momentale për të ofruar kapacitet të plotë operativ, çka ka bërë të domosdoshme ndërhyrjen e Komunës. Pas pranimit të kërkesës, Komuna dhe Ndërmarrja Rajonale “Pastrimi” kanë nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi, në të cilën janë përcaktuar format konkrete të ndihmës dhe parimet e bashkëpunimit ndërinstitucional.
“Në bazë të kësaj marrëveshjeje, sot ka nisur angazhimi i Ndërmarrjes Rajonale ‘Pastrimi’ në terren për grumbullimin dhe largimin e mbetjeve inerte (ndërtimore) dhe mbetjeve vëllimore nga deponitë ilegale në kryeqytet”, ka bërë të ditur Rama përmes një postimi në Facebook.
Ai ka theksuar se ky bashkëpunim pritet të rrisë kapacitetet operative në terren dhe të mundësojë ofrimin e shërbimeve më të shpejta dhe më efikase, në funksion të përmirësimit të pastërtisë dhe cilësisë së jetës për qytetarët e Prishtinës.




