Në 27-vjetorin e njërës prej ngjarjeve më të dhimbshme të luftës së fundit në Kosovë, Masakrës së Rogovës së Hasit, janë përkujtuar dëshmorët dhe martirët e rënë për liri. Homazhet janë mbajtur në nderim të sakrificës së tyre, me pjesëmarrjen e bashkëluftëtarëve, familjarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve.
Bashkëluftëtari Qemajl Krasniqi ka kujtuar me respekt figurat e dëshmorëve, duke theksuar se humbja e tyre ka qenë e rëndë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por se krenaria për sakrificën e tyre mbetet e përhershme.
“Agim Zeneli, Agron Rama, Agush Gjocaj dhe shumë të tjerë në këtë grup vërtet ishin djem të zgjedhur të UÇK-së, prandaj edhe humbja është më e madhe dhe peshon shumë rëndë. Në mesin e tyre ishte edhe Sahit Krasniqi, i cili ishte njëri nga prijësit e këtij grupi… Në një rrethanë të tillë, ku forcat ishin kaq të pabarabarta, humbjet ishin të mëdha dhe të rënda, por sido që të jetë ne jemi krenarë që i përkasim asaj epoke dhe që kemi qenë bashkëluftëtarë me këta djem të zotë e të përkushtuar”, tha ai.
Edhe familjarët e martirëve kanë ndarë dhimbjen dhe kujtimet e tyre.
Zarife Morina tha se kujtimet e asaj periudhe mbeten të gjalla edhe pas 27 vjetësh, duke theksuar se sakrifica e bërë për lirinë e Kosovës ka qenë e jashtëzakonshme dhe e paharrueshme.
“Kujtimet e mia, edhe pas 27 vjetësh, janë po ato. Më vështirë nuk ka pasur ku me shku. Gjithçka u bë për Kosovën me e pa të lirë, për Serbinë me e heqë e me e dëbu. Burra, mbani në mend se kjo masakër ka qenë shumë e rëndë”, tha ajo.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, gjatë fjalës së tij theksoi se liria e sotme e Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën dhe gjakun e dëshmorëve, duke nënvizuar se nderimi i tyre është obligim institucional dhe shoqëror.
“Sot e nderojmë çmimin e lirisë. Shumë luftë, shumë gjak, shumë krenari. Patjetër që është obligim i secilit prej nesh me e nderu këtë vepër, sepse liria që e gëzojmë sot është falë gjakut të dëshmorëve”, tha Gjini.
Më 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999, në fshatrat Bishtazhin, Rogovë dhe Goden, ranë në altarin e lirisë 21 dëshmorë dhe 9 martirë të kombit. Në mesin e tyre ishin edhe dy komandantë të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agron Rama dhe Agim Zeneli. Ata ranë gjatë kryerjes së detyrave ushtarake, duke transportuar luftëtarë të plagosur dhe duke furnizuar me armë njësitet e UÇK-së në frontet e luftës.
Rogova e Hasit përkujton dëshmorët e rënë në janar 1999
Në 27-vjetorin e njërës prej ngjarjeve më të dhimbshme të historisë sonë, Masakrës së Rogovës së Hasit, janë përkujtuar dëshmorët dhe të rënët për liri.
Më 27, 28 dhe 29 janar 1999, në fshatrat Bishtazhin, Rogovë dhe Goden, ranë në altarin e lirisë 21 dëshmorë dhe 9 martirë të kombit, në mesin e të cilëve edhe dy komandantë të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agron Rama dhe Agim Zeneli.
Ata ranë gjatë kryerjes së detyrave ushtarake, në transportimin e luftëtarëve të plagosur, si dhe gjatë përpjekjeve për furnizimin me armë të ushtarëve të UÇK-së në frontet e luftës.
Bashkëluftëtarë, familjarë, si dhe përfaqësues të institucioneve, kanë nderuar me respekt kujtimin dhe sakrificën e tyre për lirinë e vendit.




