“APROVOHET ankesa e paditurës Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) me seli në Prishtinë,
NUI: 810500604, PRISHET Aktgjykimi i Gjykatës Komerciale të Kosovës – Dhomat e shkallës së parë, Departamenti i Përgjithshëm, K.P.nr.11/2024 i datës 24.07.2025, dhe lënda i kthehet të njëjtës gjykatë, në rigjykim të rivendosje”, thuhet në aktvendim.

Sipas aktvendimit, gjykata e shkallës së dytë ka konstatuar shkelje të dispozitave procedurale kontestimore dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, duke vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk kishte bazë ligjore. Gjykata ka theksuar se kontrata në fjalë nuk kishte hyrë asnjëherë në fuqi dhe, si e tillë, nuk mund të zbatohej.

Në reagimin e tij, avokati i autorizuar i NPB-së, Faton Fetahu, ka deklaruar se me këtë ankesë është rrëzuar një vendim gjyqësor me implikim financiar mbi 100 milionë euro, në dëm të interesit publik. Ai ka theksuar se vendimi i shkallës së dytë i jep fund një tentative për zbatimin e një kontrate të dëmshme, e cila do t’u siguronte operatorëve privatë mbi 60 mijë metra katrorë prona publike për ndërtimin e pesë kullave shumëkatëshe afariste.

Fetahu ka shtuar se, përveç zbatimit të kontratës, konsorciumi privat kishte kërkuar edhe dhjetëra milionë euro dëm material dhe fitim të humbur, ndërsa Gjykata e Shkallës së Dytë ka konstatuar se një vendim i tillë nuk ka bazë ligjore. Sipas tij, rrëzimi i aktgjykimit shmang pasoja të rënda financiare për buxhetin publik.

Avokati ka bërë të ditur se zyra e tij ishte angazhuar pro bono në këtë rast, me iniciativë të ish-ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, në funksion të mbrojtjes së pronës publike dhe parasë së taksapaguesve.