Ish-ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka reaguar pas intervistimit të tij nga Prokuroria Speciale lidhur me kallëzimin penal të ngritur nga LDK-ja, përmes ish-deputetit Paris Guri.
Peci në postimin e tij në rrjetet sociale ka bërë të ditur se gjatë intervistimit ka dhënë sqarimet dhe përgjigjet e nevojshme në lidhje me rolin e tij si ministër në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, duke theksuar se ka qenë transparent dhe i drejtpërdrejtë.
Ai ka njoftuar gjithashtu se shumë shpejt do të paraqesë një kallëzim penal kundër kallëzimit të rrejshëm penal që sipas tij është bërë ndaj tij, duke përmendur se akuzat dhe insinuatat e ngritura kanë qenë pjesë e një fushate të orkestruar.
“Sulmet, akuzat e pabaza, gënjeshtrat, shpifjet dhe përpjekja për baltosjen e emrit tim nuk më ndalin nga punët e mira e punët e mëdha për Kosovën,” ka shkruar Peci.




