Ka përfunduar procesi i rinumërimit të 2,557 vendvotimeve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Kjo nënkupton zyrtarisht përfundimin e procesit të rinumërimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllyr procesi i rinumërimit të fletëvotimeve të 2,557 vendvotimeve, në të cilat, më 28 dhjetor 2025 është zhvilluar procesi i votimit”, ka njoftuar KQZ.
Nesër në orën 10:00 do të mbahet mbledhja e KQZ-së, me ç’rast në rend të ditës është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
“Me shpalljen e rezultatit përfundimtar, nuk e përmbyllim procesin zgjedhor pasi subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtën e tyre për të paraqitur ankesat e tyre ndaj këtij rezultati, afati është 48 orësh. Për të dhënë një datë të saktë se sa kohë do të na merr certifikimi i rezultateve, kjo varet krejtësisht nga ankesat”, ka deklaruar Valmir Elezi, zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor në një lidhje të drejtpërdrejtë për RTK-në.



