Sipas njoftimit nga Komuna e Malishevës, në homazhe morën pjesë kryetari i kësaj komune , Ekrem Kastrati, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Fatmir Ademaj, familjarë të dëshmorëve, si dhe qytetarë të shumtë, të cilët me praninë e tyre nderuan sakrificën e viktimave.

Në fjalët e rastit, 30 janari i vitit 1990 u cilësua si një nga ditët më të rënda për Malishevën, kur protestat paqësore të qytetarëve shqiptarë u shtypën me dhunë dhe terror nga pushteti i atëhershëm, duke lënë pas të vrarë, të plagosur dhe shumë qytetarë të maltretuar.

“Krahas dhimbjes së madhe që kjo ngjarje mbart, ajo përfaqëson edhe krenarinë tonë si Malishevë, sepse institucionet lokale të asaj kohe, të prira nga kryetari i komunës, Daut Krasniqi, me bashkëpunëtorë, shënuan një kthesë të rëndësishme historike. Për herë të parë, reagimi institucional ndaj kësaj masakre u artikulua zyrtarisht, madje edhe në Kuvendin e atëhershëm të Kosovës”, tha kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati.

Ai shtoi se Komuna e Malishevës do të vazhdojë t’i përkujtojë dhe t’i nderojë vlerat dhe kontributin e dëshmorëve, si dhe të gjithë qytetarëve që u sakrifikuan për liri, duke ruajtur gjallë kujtesën historike për ngjarjet e viteve ’90, të cilat më pas kulmuan me luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.