Gashi përmend dorëheqjen dhe votëbesimin për Abdixhikun

“Është në diskrecion të kryetarit të LDK-së a do votëbesim apo pushim për një kohë të caktuar. Nuk jemi në fazën e kandidaturave të tjera. Kemi të bëjmë me vlerësimin e punës së kryetarit aktual, të kërkuar nga vetë ai. Të shohim çka po i ofron Kuvendit.  Nëse ofron dorëheqje është akt vullnetar, i zbatueshëm dhe i pakthyeshëm. Nëse kërkon votëbesim, është çështje e votimit dhe duhet të mbahet votimi i fshehtë sipas statutit të LDK-së. Cilido që të jetë rezultati, do ta respektojmë”, ka thënë anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi.

Selmanaj: Hoti në krye të LDK-së, vlerë e madhe

Në anën tjetër kritikë për paqartësinë e agjendës së mbledhjes ka dhënë Driton Selmanaj. “Pavarësisht se sot nuk e kemi të qartë krejtësisht agjendën, kjo nuk është shenjë e mirë, është dashur mbrëmë ta kishim të qartë a do votohet për votëbesim apo do kemi shqyrtim të dorëheqjes. Qëndrimet, qartësia e delegatëve do jetë epilog në çfarëdo procesi”, ka thënë ai.

Selmanaj ka thënë më tej se kjo parti ka pasur reflektim për zgjedhjen e kryetarëve. “Është vlerë e madhe e LDK që Hoti të jetë në krye të LDK-së, por nuk përjashtohen edhe kandidaturat tjera”, ka thënë ai, i pyetur për Avdullah Hotin.

Rukiqi: Do të votoj kundër dorëheqjes së Abdixhikut

Ndërkaq Berat Rukiqi, ka njoftuar se do të votojë kundër dorëheqjes së kreut aktual të LDK-së, Lumir Abdixhikut.

“Agjenda që është dërguar e përcakton pak a shumë rrjedhën  e Kuvendit, do të ketë ofrim të dorëheqjes. Në këtë kontekst vota imë do të jetë kundër dorëheqjes së Abdixhikut”, tha Rukiqi.