Në përvjetorin e rënies heroike të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka vlerësuar sakrificën e tyre që i dha drejtim lirisë së Kosovës.
Hamza ka theksuar se rënia e këtyre dëshmorëve përbën themelin e shtetit.
“Në përvjetorin e rënies heroike të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, kujtojmë me nderim sakrificën e tyre, e cila i dha drejtim lirisë sonë. Komandanti Zahir Pajaziti ishte mishërim i guximit dhe i vendosmërisë në një kohë kur liria dukej e largët dhe e pamundur. Rënia e tyre, ashtu si sakrifica e çdo dëshmori të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përbën themelin e shtetit dhe mbetet kujtesë e përhershme e sakrificës shekullore të popullit tonë. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të lirisë!”, ka shkruar ai.




