Pas plot 26 vjet e 10 muaj ankthi dhe pritjeje nga familjarët, eshtrat e Rasim Koçit nga Gjakova do të prehen në Varrezat e Martirëve në Çabrat.
Rasimi ishte vrarë dhe zhdukur më 1 prill 1999 nga forcat kriminale serbe dhe bashkëpunëtorët e tyre, në afërsi të fshatit Osekë e Sylë, dhe që nga ajo ditë nuk dihej për fatin e tij, thanë familjarët.
“Përveç dhimbjes dhe ankthit që kemi pasur, kjo është njëfarë çlirimi për ne, për familjen. Tani e dimë se ku do të prehet i ndjeri, sepse ne kemi përvojë të hidhur me tri luftërat e fundit; në të tria kemi humbur meshkuj, kësaj radhe tre. Kështu që ky ka qenë një lehtësim i madh për ne dhe vazhdon të jetë lehtësim, përveç dhimbjes dhe mërzisë. Po ashtu e lusim Zotin që të gjithë të pagjeturit tjerë të gjinden dhe të prehen në tokën e tyre”, tha Ali Koçi, familjar.
Kushtrim Gara, përfaqësues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, tha se Serbia gjithmonë është munduar t’i fshehë gjurmët e krimit të përmasave gjenocidale.
“Fati i këtij personi për 26–27 vjet nuk dihej, ashtu siç nuk dihet edhe fati dhe vendndodhja e më shumë se 1.500 personave të tjerë, meqë Serbia gjatë kohës së luftës, krahas vrasjeve, rrëmbimeve dhe zhdukjeve, gjithmonë ka bërë përpjekje për rrëmbimin e personave dhe kufomave, për të fshehur krimet e tyre të vazhdueshme të përmasave gjenocidale. Sigurisht që në këtë rast ka dhimbje të madhe për familjen dhe për Gjakovën, dhimbje që mund të mposhtet vetëm me krenari për atë që i kanë dhënë atdheut”, deklaroi Kushtrim Gara, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Para ceremonisë së varrimit, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, shumë qytetarë e nderuan veprën dhe kujtimin e tij.



