Përveq konfirmimit të Lumir Abdixhikut si kryetar partie, Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka miratuar Deklaratën Politike pas shqyrtimit të gjendjes politike dhe organizative të partisë. Deklarata përcakton orientimet reformuese, organizative dhe programore të LDK-së në periudhën e ardhshme.
Në deklaratë, Kuvendi ka kërkuar riorganizim të plotë të strukturës organizative të LDK-së në të gjitha nivelet, të bazuar në parimet e meritokracisë, angazhimit politik dhe funksionalitetit të degëve dhe nëndegëve. Po ashtu, është kërkuar që brenda 100 ditësh të hartohet dhe finalizohet Platforma Politike dhe Organizative mbi modelin e ri të organizimit të partisë.
Deklarata parasheh ristrukturimin e degëve sipas modeleve funksionale, me nëndegë aktive, përgjegjësi të qarta dhe mekanizma matës të performancës politike dhe organizative. Kuvendi ka autorizuar Kryesinë e LDK-së për formimin e Komisionit për plotësim-ndryshimin e Statutit dhe ka riafirmuar parimin që asnjë anëtar të mos mbajë më shumë se një funksion partiak, me përjashtim të funksioneve institucionale.
Kuvendi ka kërkuar respektim të plotë të vendimeve të Kryesisë së LDK-së dhe ka theksuar rëndësinë e vendimmarrjes kolegjiale dhe disiplinës statutare. Çdo veprim që cenon unitetin organizativ dhe funksionimin e partisë do të trajtohet në përputhje me Statutin e LDK-së.
Në deklaratë kërkohet formimi i një Kryesie të re statutare, forcimi i rolit të Kolegjiumit të Degëve dhe krijimi i Trupit Qeverisës të Përfaqësimit Lokal, me qëllim koordinimin e politikave partiake me qeverisjen lokale. Po ashtu, parashihet edhe formimi i një Trupi Këshilldhënës me rol këshillues.
Kuvendi ka kërkuar hartimin e Programit Kombëtar Politik, duke e pozicionuar LDK-në si forcë qeverisëse dhe faktor stabiliteti institucional. Në këtë kuadër, Kryetarit të LDK-së i është dhënë mbështetje dhe autorizim i plotë për përfaqësimin e partisë në proceset shtetërore dhe politike në fazën e ardhshme institucionale.
Deklarata Politike është cilësuar si orientim obligues për veprimin politik dhe organizativ të LDK-së, ndërsa votëbesimi i dhënë shënon fillimin e një faze të re reformuese dhe konsoliduese për Lidhjen Demokratike të Kosovës.



