Me ftesë të Social Democratic Party of Croatia (SDP), Lëvizja Vetëvendosje ka marrë pjesë në Kongresin e 10-të Tematik të kësaj partie, i cili është mbajtur sot në 2026 në Zagreb. Sipas njoftimit së VV-së, Lëvizja u përfaqësua nga Hajrulla Çeku, në cilësinë e Sekretarit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, dhe Mrika Limani Myrtaj, nënkryetare e dytë.
Në seancën plenare hapëse të Kongresit, Çeku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet forcave socialdemokrate në Evropë, duke vënë në pah se ky solidaritet është veçanërisht i domosdoshëm në një kohë kur, siç u shpreh ai, “demokracia, barazia sociale dhe dinjiteti i punës janë nën presion nga politika përjashtuese dhe ideologji ekstreme”.
Ai iu referua edhe përvojës qeverisëse të Vetëvendosje në Kosovë, duke theksuar se ajo dëshmon se “një qeverisje e ndershme, e përgjegjshme dhe e orientuar nga interesat e qytetarëve jo vetëm që është e mundshme, por gëzon edhe mbështetje të fuqishme popullore”.
“Duke iu referuar zgjedhjeve të fundit në Kosovë, Çeku nënvizoi se fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje është një mandat i qartë për politika sociale, drejtësi ekonomike dhe shtet funksional, si dhe një sinjal se qytetarët i shpërblejnë alternativat politike që nuk i nënshtrohen kapjes së shtetit dhe interesave të ngushta”, thuhet në njoftim.
Sipas deklaratës së partisë, Kongresi i SDP-së u fokusua në tema që lidhen me zhvillimin e ardhshëm shoqëror, përfshirë modelin e zhvillimit, politikat industriale, inteligjencën artificiale, shkurtimin e javës së punës, tatimin mbi pasurinë, si dhe sigurinë në punë dhe luftimin e punës së pasigurt.
VV vlerëson se pjesëmarrja në këtë Kongres riafirmon lidhjet me familjen socialdemokrate evropiane dhe angazhimin e përbashkët për demokraci, barazi sociale dhe politika që u shërbejnë shumicës së qytetarëve.



