Ambasada Britanike në Prishtinë ka reaguar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për Listën Serbe, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së plotë të të gjitha komuniteteve në procesin demokratik.
Pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) që miratoi ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mosshpallje të rezultatit përfundimtar, Ambasada Britanike në Prishtinë ka theksuar se pret që përfaqësuesit e zgjedhur ligjshëm të mund të marrin detyrën dhe të shërbejnë qytetarët që i kanë zgjedhur.
Ambasada britanike ka thënë po ashtu se inkurajohen të gjitha institucionet të respektojnë këtë vendim të PZAP-së.
“Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbështesë procese zgjedhore transparente dhe të bazuara në rregulla në Kosovë. Ne inkurajojmë të gjitha institucionet dhe aktorët politikë të respektojnë vendimet e institucioneve demokratike dhe të ruajnë integritetin e kornizës zgjedhore. Një proces zgjedhor i besueshëm dhe gjithëpërfshirës është thelbësor për stabilitetin demokratik të Kosovës dhe për forcimin e besimit ndërmjet të gjitha komuniteteve”, theksohet në reagimin e ambasadës në Facebook.




