Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka anuluar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore ndaj Glauk Konjufcës, lidhur me rastin e përdorimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Me vendimin e Departamentit të Përgjithshëm të Apelit, lënda është kthyer në rigjykim dhe rivendosje në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për shkak të shkeljeve të rënda procedurale dhe vlerësimit jo të plotë të provave.
Gjykata Themelore, me aktgjykimin e 26 shkurtit 2024 (P.nr.464/17), e kishte liruar Konjufcën, i cili në atë periudhë mbante postin e Kryetarit të Kuvendit – nga akuza për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, duke arsyetuar se “nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale që i vihet në barrë”. Po ashtu, ishte refuzuar edhe akuza për “Pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Mirëpo, sipas Gjykatës së Apelit, ky vendim është marrë mbi baza të pasakta. Në arsyetimin e aktgjykimit thuhet se ankesa e Prokurorisë është e bazuar dhe se vendimi i shkallës së parë përmban “shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale”, përfshirë vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe shkelje të ligjit penal.
“Gjykata e shkallës së parë nuk ka vlerësuar drejt dhe në mënyrë të plotë provat e administruara, përfshirë dëshmitë e dëshmitarëve dhe provat materiale, si raportin e këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe lokacionin e incidentit”, thuhet në vendimin e Apelit.
Sipas kolegjit gjykues, aktgjykimi i ankimuar nuk sqaron se cilave prova u është dhënë besim dhe cilat janë hedhur poshtë, as nuk është bërë krahasimi dhe ndërlidhja e tyre.
Gjykata e Apelit ka kritikuar gjithashtu faktin se Gjykata Themelore është mbështetur kryesisht në deklaratën e të akuzuarit, i cili kishte pranuar se kishte përdorur gaz lotsjellës gjatë mbledhjes së Kuvendit, por kishte deklaruar se nuk e konsideron atë si armë.
“Vendimi nuk mund të mbështetet vetëm në deklarimin e të akuzuarit, duke i dhënë rëndësi vendimtare deklaratës së tij para organeve të ndjekjes”, vlerëson kolegji penal.
Sipas Apelit, përveç deklarimit të të akuzuarit, në këtë çështje ekzistojnë edhe deklarata dëshmitarësh, prova materiale dhe veçanërisht procesverbali i mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të cilat është dashur të vlerësohen në mënyrë të plotë dhe bindëse.
“Arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë është i mangët, pasi nuk ka arritur të vërtetojë lidhjen kauzale dhe veprimet inkriminuese që kanë ndodhur”, përfundon vendimi i Gjykatës së Apelit.




