Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka përkujtuar 26-vjetorin e ngjarjeve të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, kur në veri të Mitrovicës u krye masakra dhe dëbimi masiv i shqiptarëve.
Në një postim në Facebook, Basha ka thënë se, edhe pas 26 vjetësh, dhimbja e atyre netëve mbetet e gjallë në kujtesën kolektive, duke i cilësuar ngjarjet si një akt të rëndë dhune ndaj qytetarëve shqiptarë të paarmatosur dhe një fushatë të organizuar frike e dëbimi me synim ndryshimin e realitetit etnik në atë pjesë të qytetit.
Ai ka theksuar se strukturat kriminale serbe, të njohura si “Rojat e Urës”, sulmuan familje të pafajshme, duke vrarë 10 shqiptarë, mes tyre një fëmijë 13-vjeçar dhe një grua 65-vjeçare. Sipas tij, dhjetëra persona u plagosën dhe u torturuan, ndërsa mbi 11 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre, në praninë e faktorit ndërkombëtar.
Basha ka vlerësuar se këto krime ndryshuan thellësisht strukturën demografike dhe jetën shoqërore në veri të Mitrovicës, por ka shtuar se sot, pas më shumë se dy dekadash, veriu i vendit nuk është më hapësira e pasigurisë dhe e sundimit të bandave që ishte dikur.
Sipas tij, shtrirja e sundimit të ligjit, veprimi i institucioneve të sigurisë dhe çmontimi i strukturave kriminale kanë krijuar një realitet të ri, duke përmirësuar rendin dhe sigurinë për të gjithë qytetarët, pa dallim komuniteti. Ai ka theksuar se me kthimin e sigurisë po kthehen edhe familjet në shtëpitë dhe pronat e tyre të uzurpuara.
Megjithatë, kryetari i Kuvendit ka nënvizuar se pa drejtësi të plotë për viktimat dhe pa përgjegjësi për krimet e kryera, plagët e asaj kohe nuk mund të mbyllen plotësisht.
“Përkujtimi i 3 dhe 4 shkurtit nuk është vetëm kthim pas në histori, por thirrje për drejtësi dhe zotim që shteti ynë të mos lejojë kurrë më dhunë dhe dëbim për shkak të përkatësisë etnike”, ka shkruar Basha.
Në fund, ai ka nderuar viktimat e atyre ditëve, duke theksuar se e ardhmja duhet të ndërtohet mbi ligj, barazi dhe bashkëjetesë, dhe se drejtësia është më e fortë se çdo përpjekje për të fshehur të vërtetën.



