Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal ka shpallur aktgjykimin përmes video-lidhjes ndaj të pandehurit E.K., i akuzuar për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhja”.
Sipas njoftimit, Gjykata e ka shpallur E.K. fajtor për pikat III dhe IV të aktakuzës, ndërsa pas unifikimit të dënimeve, i është shqiptuar dënim unik me gjobë në shumën prej 800 (tetëqind) euro, si dhe dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite e 4 (katër) muaj.
Në dënimin me burgim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, duke filluar nga data 02 korrik 2025.
“Për pikat I, II dhe V të aktakuzës, gjykata ka refuzuar akuzën në bazë të dispozitave ligjore përkatëse, meqenëse Prokurori i Shtetit ka hequr dorë nga aktakuza”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Pejë .
Tutje thuhet se palët e pakënaqura me këtë aktgjykim kanë të drejtë ankese në afat prej 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim.




