(Leter publike Kryeministrit Albin Kurti dhe Preseidetës Vjollca Osmani)
Musa Kurhasku Gjakovë

Shkurt 2026 Në një fotografi që bëri xhiron e botës, njëri nga njerëzit më të fuqishëm që ka njohur planeti, ish-presidenti i SHBA-së Bill Clinton, ulet në të ftohtë, në tokë, pranë një veterani amerikan që proteston sepse nuk ka bukë. Nuk flet nga podiumi. Nuk mban ligjërata. Nuk e shikon nga lart. Ulet. Dëgjon. Ndan heshtjen dhe dinjitetin njerëzor me një njeri që shteti i tij e ka lënë pas. Në Kosovë, realiteti është i kundërt. Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – themeli mbi të cilin u ndërtua liria dhe shteti – janë shndërruar në objekt përçmimi, dyshimi dhe padrejtësie institucionale. Politikanët tanë nuk ulen me ta; u flasin nga kolltuku. Nuk i dëgjojnë; i akuzojnë. Nuk i mbrojnë; i çvlerësojnë publikisht.Veterani amerikan proteston për bukë dhe ish-presidenti ulet pranë tij. Veterani i UÇK-së jeton me 204 euro pension mujor, në kushte të rënda ekonomike e familjare, ndërsa politika kosovare flet, bërtet, shan dhe relativizon çdo kontribut të tyre në lirinë e Kosovës. Por padrejtësia nuk ndalet këtu. Veteranëve të UÇK-së u është mohuar e drejta elementare për të shfrytëzuar pensionin kontributdhënës. Me një vendim absurd dhe thellësisht diskriminues, ata janë vënë para një zgjedhjeje të dhunshme: ose pensioni i veteranit, ose pensioni kontributdhënës. Sikur sakrifica për luftë ta përjashtonte të drejtën për punë dhe kontribut civil. Kjo është një padrejtësi e qartë, e bardhë si drita e ditës. Për më tepër, për 25 vite me radhë, veteranëve u është ndaluar të punojnë dhe të sigurojnë të ardhura nga çfarëdo pune tjetër, duke i shtyrë drejt varfërisë së detyruar dhe varësisë nga një pension poshtërues. Ata që luftuan për lirinë e tregut dhe shtetit, u dënuan me mospunë nga vetë shteti që ndërtuan.Tek para 2 muajve në fushat elektorale u premtu që të lejohet e drejta edhe një pune dytësore. Ndërkohë, për vite të tëra, dosjet e veteranëve të UÇK-së mbahen në Prokurorinë Speciale, nën hijen e dyshimit kolektiv për “veteranë të rremë”. Lufta hetohet, sakrifica dyshohet, dinjiteti vihet në bankën e të akuzuarit. Dosjet zvarriten, lëndët mbesin pa u shqyrtuar, ndërsa jeta e veteranëve shkon drejt varfërisë, sëmundjes dhe harresës. Ironia është therëse: ata që e sollën shtetin sot trajtohen si barrë buxhetore. Ata që nuk rrezikuan asgjë sot matin me shifra lirinë. Ata që nuk panë front sot mbajnë ligjërata për “meritë” dhe “verifikim”.As kryeministri, as qeveria, as politika kosovare nuk kanë ndërmarrë hapin minimal që pensioni i një veterani të luftës së Kosovës të jetë së paku i barabartë me pagën minimale të një punëtori në Kosovë. As minimum drejtësie. As minimum mirënjohjeje. Fotografia e Bill Clintonit nuk është thjesht një moment njerëzor. Ajo është pasqyrë. Dhe në atë pasqyrë, politika kosovare shfaqet e ftohtë, arrogante dhe moralisht e dështuar. Një shtet që dyshon në luftën e vet dhe ndëshkon luftëtarët e tij, nuk ka të ardhme të drejtë. Një politikë që nuk ulet pranë veteranit, por e mban në varfëri dhe nën hetim të përhershëm, është politikë pa ndërgjegje. Veteranët e UÇK-së nuk kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë drejtësi, dinjitet dhe respekt. Dhe respekti fillon aty ku politika pushon së foluri dhe mëson të ulet.
Pikëpamjet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdoshmërisht të Kosovatimes




