Sipas aktakuzës, i pandehuri A.K. zyrtar policor më 22 dhjetor në Vërmicë , ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga i pandehuri B.C., me qëllim të përfitimit pasuror për vete.

“I njëjti, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare dhe i veshur me uniformë policore, i ka mundësuar B.C., hyrjen në Republikën e Kosovës, ndonëse këtij të fundit i ishte refuzuar hyrja nga Policia e Kosovës për mungesë dokumentacioni. Pas marrjes së parave, A.K., e ka kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin me veturën e tij, bashkë me të pandehurin B.C., dhe e ka dërguar atë në Prizren”, vazhdon aktakuza e Prokurorisë.

Me këto veprime, A.K., ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” ndërkaq B.C., ka kryer veprat penale “Dhënia e ryshfetit” dhe “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare” të KPRK-së.

Prokurori i ka propozuar gjykatës të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, ndërkaq për zyrtarin policor t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.