Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka pritur në takim Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı ku kanë diskutuar për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, rolin e Turqisë në KFOR, si dhe mundësitë për përforcimin e marrëdhënieve ekonomike.
Në njoftimin e ZKM’së thuhet se Kurti vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe rolin e rëndësishëm të Turqisë në misionin e NATO-s në Kosovë, përfshirë komandën e KFOR-it.
“Ai theksoi se ky bashkëpunim në fushën e mbrojtjes do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe falënderoi ambasadorin Angılı dhe Republikën e Turqisë për gatishmërinë dhe partneritetin”, thuhet në njoftim.
Ata kanë folur edhe për mundësinë e organizimit të një forumi të biznesit në Prishtinë.
“Në takim u trajtua edhe për raportin në fushën e ekonomisë dhe tregtisë ndërmjet dy shteteve. Në këtë drejtim u diskutua për mundësinë e organizimit të një forumi të biznesit, i cili pas forumit të parë që u mbajt në Stamboll në qershor të vitit 2024, këtë vit do të mund të organizohet në Prishtinë. Ambasadori Angılı e uroi kryeministrin për fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Kryeministri e falënderoi ambasadorin për takimin dhe komunikimin e vazhdueshëm dhe për ftesën e Republikës së Turqisë për pjesëmarrje në Forumin Diplomatik në Antalia”, përfundon njoftimi.




