“Kur i lexoj sot këto mesazhe, ndihem si idiot,” tha Miroslav Lajçák të hënën. “Por kjo nuk më çliron nga përgjegjësia. Kam treguar gjykim të keq dhe mungesë kujdesi. Ato mesazhe nuk janë asgjë tjetër veçse ego mashkullore budallaqe në veprim, një tallje vetëkënaqëse mashkullore”, tha ai.

Në paraqitjen e tij të parë publike pas dorëheqjes, Lajçak as nuk i konfirmoi dhe as nuk i mohoi mesazhet ku përmenden “vajzat”, duke thënë se nuk i kujton konkretisht. “Nuk i konfirmoj, por as nuk mund t’i mohoj,” tha ai për Radion Sllovake.

Nga dokumentet e publikuara rezulton se komunikimi mes Epstein-it dhe një kontakti me emrin Miroslav Lajçak ka qenë intensiv dhe i afërt. Në disa mesazhe të dërguara nga Moska dhe Kievi, përmenden “vajza të pabesueshme” dhe “vajza të bukura si gjithmonë”.

Lajçak sqaroi se e ka njohur Epstein-in në vitin 2017 në New York, gjatë kohës kur ushtronte përkohësisht funksionin e kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Sipas tij, Epstein ishte i pranuar në rrethet diplomatike dhe shoqërore dhe shihej si një kontakt me ndikim. “Ishte një kontakt i vlefshëm që mund të hapte shumë dyer,” tha ai.

Ai mohoi çdo përfshirje në aktivitete kriminale apo seksuale dhe theksoi se nuk kishte dijeni për krimet e Epstein-it. “Distancohem fuqishëm nga ajo që ai ka bërë dhe e dënoj,” deklaroi Lajçak, duke shtuar se marrëdhënia e tyre nuk përfshinte para apo shërbime seksuale.