Ndërmarrja Trepça ka arritur t’i kthejë në pronësi mbi 1,200 hektarë gjatë vitit të kaluar, me një vlerë, sipas kryeshefit të saj, prej mbi 400 milionë eurosh. Ndërmarrja është në proces të rikthimit edhe të mbi 68 parcelave të tjera, një pjesë e të cilave ndodhen në veri të vendit.
Një nga shtyllat më të rëndësishme në industrinë minerare në Kosovë, ndërmarrja Trepça ka arritur ta kthejë në pronësi të saj mbi 1 mijë e 200 hektarë vetëm gjatë 2025-s.
Vlera e këtyre hektarëve shkon në mbi 400 milionë euro.
Këta hektarë me vite të tëra ishin uzurpuar nga individë e operatorë privatë.
“Projekti më i rëndësishëm ka qenë kthimi i pronave. Në vitin 2025 kemi mbi 1,200 hektarë që janë kthyer në pronësi të Trepcës me një vlerë të vlerësuar nga tatimi në pronë, mbi 400 milionë euro të cilat në këtë vit apo vitin 2026 do ti njohin në pasqyrat financiare si vlerë”, thotë Faton Ahmeti, kryeshef Ekzekutiv i “Trepçës sh.a.
Sipas kryeshefit të kësaj ndërmarrjeje, janë mbi 68 parcela tjera të cilat synojnë t’i marrin nga uzurpatorët.
“Ne jemi ende në proces pasi kemi edhe disa prona në veri dhe jemi në fazë të kthimit të tyre në ndërmarrje. Duhet me qenë afërsisht mbi 68 parcela të reja që jemi në proces të kthimit të tyre”, shton Ahmeti.
Përveç kthimit të pronave të saj, Trepça në 2025-n rriti edhe prodhimin.
“Ne vitin e kaluar e kemi lënë një prodhim të jashtëzakonshëm. Ne kemi realizuar planin mbi 110%. Është realizuar plani i biznesit. Me e krahasu me vitin 2024, edhe në koncentratin e plumbit, zinkut edhe të xehjeve jemi mbi 80% më mirë se vitin 2024”, thekson kryeshefi Ekzekutiv i “Trepçës”.
Nga Sindikata e Trepçës kanë bërë thirrje që të bëhen investime në mënyrë që mos të përballen me situata të tilla.
Ndërmarrja, ditë më parë ka ngritur shqetësime se një nga parcelat më strategjike të saj, e vendosur në Shupkovc, është zvogëluar ndjeshëm me sipërfaqe për shkak të ndarjeve dhe bartjeve të kontestuara.
Që më shumë se 20 vjet, prona të ndërmarrjes Trepça janë shfrytëzuar nga individë e operatorë privatë të cilët nuk kanë paguar as qira.




