Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, kanë bërë thirrje institucionale për ndalimin e menjëhershëm të shitjes dhe therjeve ilegale, jo higjienike dhe të paautorizuara të kafshëve dhe shpezëve.
Sipas njoftimit të AUV-së, përfaqësuesit e këtyre institucioneve kanë mbajtur sot një takim të përbashkët me qëllim forcimin e koordinimit institucional dhe ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta kundër kësaj veprimtarie të paligjshme, e cila paraqet rrezik serioz për shëndetin publik dhe sigurinë ushqimore.
Institucionet janë dakorduar që të intensifikojnë bashkëpunimin dhe të zbatojnë masa të menjëhershme, të koordinuara dhe pa tolerancë ndaj çdo individi apo biznesi që ushtron shitje apo therje ilegale të kafshëve dhe shpezëve.
“Çdo shkelje do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe ndaj shkelësve do të merren masa të rrepta ligjore”, thuhet në njoftim, duke theksuar se këto veprime përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve.
Po ashtu, institucionet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë duke raportuar çdo rast të dyshuar të kësaj veprimtarie ilegale.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Policia e Kosovës dhe institucionet komunale kanë theksuar se mbesin të përkushtuara në mbrojtjen e shëndetit publik, zbatimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë ushqimore në vend.




