Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Inputeve në Bujqësi për tremujorin e katërt të vitit 2025, i cili tregon se çmimet e inputeve bujqësore janë rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Indeksi i përgjithshëm i inputeve bujqësore është rritur për 4,0%, ndërsa indeksi për mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) ka shënuar rritje prej 4,3%, kurse indeksi për mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet bujqësore (Input 2) është rritur për 3,7%.
Çmimet për Input 1 përfshijnë farërat dhe materialet mbjellëse, energjinë dhe vajrat, plehrat dhe përmirësuesit e tokës, produktet për mbrojtjen e bimëve dhe pesticidet, shpenzimet për veterinari, lëndët ushqimore për kafshë, si dhe mirëmbajtjen e materialeve dhe ndërtesave, si dhe shërbime të tjera.
Ndërsa Input 2 përfshin mallra dhe shërbime që lidhen me investimet bujqësore, duke përfshirë makineri dhe pajisje të tjera, ndërtesa jo-rezidente të fermave dhe punë të tjera të lidhura me investimet në bujqësi.
ASK njofton se të dhënat janë mbledhur nga barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, kompanitë, tregjet dhe vende të tjera ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion, duke ofruar një pasqyrë të saktë të zhvillimeve të çmimeve në sektorin bujqësor në Kosovë.




