Gjykata Themelore në Gjakovë ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 personave të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor për Kuvendin e Kosovës.
“Gjykata Themelore në Gjakovë, në tri seanca të ndara dëgjimore të mbajtura mbrëmë, ka nxjerrë vendim duke refuzuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj njëzet e dy (22) personave, për shkak të dyshimit të bazuar se veç e veç kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.
Sipas Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në Qendrën Komunale të Numërimit në Gjakovë, të vendosur në palestrën e sporteve “Shani Nushi”, kanë ndërhyrë në mënyrë të kundërligjshme në procesin e votimit duke falsifikuar rezultatet.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me këto veprime të dyshuarit kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve.
Megjithatë, sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, me vendim të gjykatës, të pandehurit obligohen të paraqiten në stacion policor për një periudhë prej një muaji, nga data 6 shkurt 2026 deri më 5 mars 2026.
Tutje është bërë e ditur se palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit ligjor.



