Sipas njoftimit zyrtar, një njësi policore ka tentuar të ndalojë një automjet në Obiliq, mirëpo drejtuesi i mjetit nuk ka respektuar sinjalizimet e policisë dhe, duke rrezikuar drejtpërdrejt zyrtarin policor, ka vazhduar lëvizjen në drejtim të Vushtrrisë dhe më pas në Mitrovicë.

Në koordinim me njësitet e Stacionit Policor në Obiliq, ndjekja e automjetit të dyshuar është vazhduar nga Njësitë e Trafikut Rrugor të Mitrovicës së Jugut, të cilat kanë përdorur vazhdimisht sinjalizime për ndalim. Gjatë ndjekjes, shoferi ka rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik dhe, në tri lokacione të ndryshme në zonën e Mitrovicës, ka goditur tri herë veturën policore që ishte në ndjekje.

Falë profesionalizmit, qetësisë dhe vetëpërmbajtjes së zyrtarëve policorë, automjeti është ndalur në një lokacion të përshtatshëm, pa rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik, në rrugën nacionale Mitrovicë–Zubin Potok, përkatësisht në segmentin rrugor në fshatin Zupç. Aty është bërë arrestimi i shoferit dhe i tre pasagjerëve.

Si pasojë e incidentit, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor.

Me vendim të prokurorit kompetent, ndaj shoferit është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.