Këshillit Kombëtar i Pagesave në funksion të mbështetjes së reformave në fushën e pagesave përmes zgjerimit të përfshirjes dhe rritjes së bashkëpunimit ndërmjet akterëve të tregut në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës, mbajti mbledhjen e parë pas rifunksionalizimit, me anëtarësi të zgjeruar.
Ky Këshill shërben si një organ këshillimor në mbështetje të reformave në fushën e pagesave dhe rritjes së sigurisë së Sistemit Kombëtar të Pagesave. Sipas njoftimit të BQK-së, këtë takim e përshëndetën me fjalë hyrëse guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili dhe ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Guvernatori Ismaili në hyrje të takimit ri-themelues dhe hapës për vitin 2024, u shpreh se një sistem i shëndoshë dhe efikas i pagesave, në sistemin financiar të Republikës së Kosovës mbështetë zhvillimin e mëtejshëm të ndërmjetësimit financiar, rritjen e stabilitetit financiar, duke krijuar kështu një klimë në të cilën investitorët mund të zgjerojnë bizneset e tyre dhe se e bën tregtinë më të lirë dhe u ofrojnë konsumatorëve qasje më të lehtë në mallra dhe shërbime.
“Një sistem i zhvilluar financiar i pagesave ku pagesat realizohen me kosto të arsyeshme dhe me
efikasitet në kohë e bëjnë tregtinë më të lirë dhe mundësojnë që firmat konkurruese të rriten dhe t’u ofrojnë konsumatorëve qasje më të lehtë në mallra dhe shërbime”, theksoi Ismaili.
Sipas tij një sistem i zhvilluar i pagesave siguron zvogëlimin e efekteve negative dhe siguron integritet në sistemin financiar të vendit.
“Njëkohësisht, një sistem i zhvilluar i pagesave siguron mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar dhe të valutës euro, zvogëlimin e efekteve negative nga dukuria e falsifikimit të parave, mbrojtjen e konsumatorit dhe avancimin e praktikave të tregut, zvogëlimin e efekteve nga aktivitetet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, qasjen e shtuar në shërbimet financiare dhe gjithëpërfshirjen financiare”, potencoi guvernatori.
I pari i BQK-së shtoi se avancimi i sistemit të pagesave do të përshpejtoj qasjen e Republikës së Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave të Bashkimit Evropian të njohur si SEPA dhe Sistemin e Pagesave të Shpejta të Bashkimit Evropian i njohur si TIPS, si objektiv strategjik i BQK-së.
Duke përmendur Planin Strategjik 2024-2028 të BQK-së, guvernatori Ismaili listoi disa nga aktivitetet që janë planifikuar dhe që lidhen me fushën e sistemit të pagesave. Ai renditi disa nga veprimet tashmë të ndërmarra në aspektin rregullativ dhe ligjor, si përgatitje drejt zbatimit të Planit.
“Avancimi i sistemit të pagesave paraqet sfida të konsiderueshme si nga perspektiva e BQK-së ashtu edhe nga ajo bankave dhe institucioneve financiare jobankare dhe për këtë kërkohet bashkëpunim dhe koordinim i ngushtë. Kujdes i veçantë duhet t`i kushtohet rreziqeve qe sjellin këto zhvillime, me theks tek ato kibernetike dhe jo vetëm”, vuri në pah Ismaili.
Sipas njoftimit, edukimi financiar do të jetë në fokusin e BQK-së, krahas avancimit të praktikave të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve. Prandaj, do të organizohen dhe mbështetën kampanja për edukimin financiar të përdoruesve të shërbimeve të pagesave lidhur me përfitimet, mënyrën e realizimit, sigurinë dhe rëndësinë e pagesave digjitale/elektronike.