Në dimrin e viteve 1973-1974, benzina ishte në sasi aq të paktë saqë kamionistët amerikanë pa karburant bllokuan autostradat në shenjë proteste dhe në Evropë kali dhe karroca u kthyen në rrugët e disa qyteteve.
Shtrëngimi ndaj konsumatorëve ishte i tillë sa një grua nga Nju Xhersi paralajmëroi se “njerëzit janë në prag të revoltës”.
Shkaku ishte një embargo nafte e vendosur nga disa shtete të Lindjes së Mesme, ekonomia e të cilave varej nga prodhimi i naftës e që kishin për synim vendet perëndimore që po mbështesnin Izraelin gjatë Luftës së Yom Kipurit të vitit 1973.
Zgjidhja, me sa dukej, ishte zhvillimi urgjent i automjeteve elektrike (Electric Vehicles-EV) që mund të punonin pa benzinë, çmimi i së cilës ishte katërfishuar në një periudhë prej disa muajsh.
Automjetet elektrike nuk ishin një koncept i ri në vitet 1970. Në fillim të shekullit XX, rreth një e treta e automjeteve që lëviznin në rrugët amerikane, punonin me bateri.
Gjenerata e parë e automjeteve elektrike ishte e lehtë për t’u nisur, më e qetë dhe më e pastër se sa ato me avull dhe benzinë. Por, automjetet e hershme elektrike ishin të shtrenjta për t’u prodhuar dhe për pasojë sasia e tyre ishte e kufizuar.
Teksa motori me benzinë evoluoi duke lënë prapa epokën e çikrikut të rëndë të ndezjes dhe rrugët e reja ftonin shoferët të shkonin në aventura në distanca të gjata në fillim të viteve 1900, automjeti me benzinë filloi të ngrihej në krye si zgjedhja e favorizuar e konsumatorit.
Kur prodhuesi i automobilave Henry Ford zgjodhi një motor me benzinë për modelin revolucionar Model -T, makinat elektrike dhe me avull mbetën pas.
Për 50 vjetët e ardhshëm, automejtet elektrike mbetën një teknologji kryesisht e vjetëruar.
Në vitin 1973, vendet arabe prodhuese të naftës vendosën një embargo eksporti si përgjigje ndaj mbështetjes së SHBA-së për Izraelin gjatë luftës së Yom Kipurit. Kriza pasuese e energjisë ishte një shkëndijë që mori hov në zhvillimet që çuan në kthimin shkurtimisht të automjeteve elektrike më 1974.
Disa fotografi të mbajtura në arkivat e SHBA-së dhe Rusisë dhe të riprodhuara në këtë fotogaleri demonstrojnë vitin e automjeteve, që funksiononin me bateri, që papritur dolën në sipërfaqe.
Një adhurues i automjeteve elektrike e shpjegoi kthimin e veturave elektrike për një gazetar amerikan në prill të vitit 1974:
“Kriza energjetike e ka kthyer në përdorim automjetin elektrik…”, tha ai. “Njerëzit e kanë parasysh se furnizimi me naftë është i kufizuar dhe ata do të vazhdojnë të jenë të frikësuar”.
SHBA-ja e mbështeti hapur luftën arabe të vitit 1973 kundër Izraelit dhe ekonomia sovjetike ishte relativisht e padëmtuar nga “tronditja e naftës”. Por, derisa vendet perëndimore po garonin të zhvillonin automjetet elektrike, e ardhmja e transportit gjithnjë e më shumë kishte gjasa të ishte elektrike.
Në prillin e vitit 1974, ministria e automobilave e Kremlinit shpalli se zhvillimi i automjeteve elektrike ishte një përparësi.
Pavel Bludenov, një gazetar automobilizmi rus me bazë në Dubai, i tha Radios Evropa e Lirë se Bashkimi Sovjetik ishte në një farë mënyre i pozicionuar mirë për të çuar para zhvillimin e automjeteve elektrike në vitet 1970.
“Dallimi i madh mes makinave perëndimore dhe atyre sovjetike [elektrike ose me benzinë]”, tha ai, ishte se inxhinierët e Bashkimit Sovjetik “nuk kishin nevojë të mendonin për efikasitetin dhe përfitimin komercial”.
Për dallim nga inxhinierët perëndimorë, të cilët u desh të bënin çmos për t’i bërë atraktive këto makina në tregun e lirë, homologët e tyre sovjetikë u mjaftuan vetëm të impresiononin një panel të vogël burokratësh se llojet e automjeteve që do të zhvillonin do të ishin të suksesshme.
Por, megjithëse disa prototipe sovjetike të automjeteve elektrike u lansuan në mes të krizës së naftës të viteve 1970, asnjëra nuk u miratua për prodhim masiv.
Bludenov thotë se inxhinierët sovjetikë shpejt arritën në “të njëjtat probleme si automjetet elektrike në vendet e tjera: teknologjia nuk lejonte që këto modele të ishin të qasshme dhe praktike”.
Inxhinierët e viteve 1970 po përballeshin me pengesat me të cilat ishin përballur paraardhësit e tyre 50 vjet më parë kur projektonin automjetet elektrike: distanca të shkurtra udhëtimi, kosto të larta të prodhimit dhe pesha e madhe e baterive.
Në mars të vitit 1974, qeveritë arabe i dhanë fund embargos së naftës që kishte tronditur botën dhe çmimet ranë shpejt. Megjithëse, “tronditja” e mëtejshme e naftës do të vinte në vitet 1970, prodhimi i makinave elektrike u kthye në një industri të vogël.
Ishte bërë e qartë se teknologjia e baterive thjesht nuk kishte arritur aq larg në gjysmën e shekullit të kaluar për të shmangur problemet fillestare të automjeteve elektrike.
Do të duhej zhvillimi novator i baterive të fuqishme dhe relativisht të lehta litium-jon për të bindur inxhinierët, përfshirë miliarderin e teknologjisë Elon Musk, që të eksplorojnë sërish mundësinë që makinat të funksionin me energji elektrike.
Bateria e parë litium-jon u prezantua në vitin 1991, në të njëjtin vit që u shpërbë Bashkimi Sovjetik.
Prodhuesit e automjeteve në Rusi dhe gjetkë në ish-Bashkimin Sovjetik në atë kohë ishin të fokusuar në mbijetesë dhe jo në inovacione të shtrenjta.
Bludenov thotë se ende është e mundur të gjenden gjurmë të zhvillimit të hovshëm të veturave sovjetike elektrike të prodhuara gjysmë shekulli më parë.
Ndërsa vizitoi fabrikën e pajisjeve bujqësore Rostselmash në Rostov mbi Don më 2021, ai tha: “U befasova kur pashë kamionë teknikë të epokës sovjetike që punonin me energji elektrike atje! Ata janë ende në funksion”.