Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se i vetmi dallim me faktorin ndërkombëtar sa i përket zbatimit të rregullores së re të BQK-së, e cila e njeh vetëm euron si valutë legjitime për transaksione dhe pagesa është periudha e tranzicionit.
Partnerët ndërkombëtar, e në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të shtyjnë zbatimin e rregullores së re të BQK-së për një periudhë të gjatë tranzicioni, madje ndihmës-sekretari i Shtetit amerikan, James O’Brien, dje ka thënë se nuk do ta trajtojnë Qeverinë e Kosovës si partnere nëse s’trajtohen njëjtë.
Ministri Murati ka thënë se ata i marrin seriozisht deklarimet e aleatëve, se janë partnerë të përkushtuar dhe i ndajnë të gjitha informatat e nevojshme me ta.
“Është një vendim, i cili është marrë nga Banka Qendrore e Kosovës në dhjetorin e vitit të kaluar, nuk është vendim që është marrë rishtazi. Vendimi ka qenë i planifikuar të hyjë dhe ka hyrë në fuqi më 1 shkurt të këtij viti, por është marrë më herët. Patjetër që konsultohemi, patjetër që koordinohemi dhe patjetër që kemi parasysh të gjitha aspektet. Sa i përket qëllimit që synon të arrijë rregullorja e miratuar e BQK-së, të gjithë partnerët ndërkombëtarë janë njëzëri që e mbështesin deri në fund. Nuk ka dilema apo dallime për qëllimet që po duam të arrijmë. I vetmi dallim është se si të dizajnohet periudha e tranzicionit”, tha Murati.
Ai tutje ka thënë se mungesa e një aktakuze për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë po e pamundëson forcimin e argumentit të Qeverisë para ndërkombëtarëve se Serbia me dinarët që i transferonte në Kosovë me thasë i sponsorizon edhe grupet terroriste.
“Pra mungon veprimi i Prokurorisë sonë. Si mund të presim nga partnerët tanë që të kenë vlerësim apo urgjencë më të madhe për një çështje për sulmin në Banjskë, kur ka institucione në Republikën e Kosovë që e marrin me shumë ngadalësi apo qetësi këtë çështje. Të gjithë po presim që Prokuroria të lëvizë për rastin e Banjskës, gjë e cila pastaj do ta përforconte argumentin tonë”, ka shtuar Murati.
Murati: Për tri vite kemi bërë më shumë se të gjitha qeveritë bashkë
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se “Qeveria Kurti” për tri vite ka bërë me shumë se sa të gjitha qeveritë së bashku për punësimin e të rinjve e të rejave. Ai këto komente i bëri në konferencën për media pas mbledhjes së sotme të qeverisë.
“Sot është një ditë e shënuar, pra është tre vjetori kur qytetarët në masë të madhe ia dhanë besimin kësaj qeverie dhe përgjatë këtyre tri viteve jemi munduar që t’i qëndrojmë sa më afër dhe sa më besnik sloganit tonë ‘drejtësi dhe punësim’. Sa i përket punësimit, si Qeveri për këto tri vite besoj se jeni dëshmitarë edhe ju se kemi bërë më shumë se gjitha qeveritë bashkë”, ka thënë Murati.
Ai ka përmendur platformën “Superpuna”, për të cilën tha se kanë arritur të hapen mijëra vende të reja të punës, si dhe masat subvencionuese që i ka ndërmarrë ekzekutivi i vendit.
“Projekti ‘Superpuna’ është unik dhe i cili ka qenë pjesë e programit tonë. Si rezultat i zbatimit të suksesshëm kemi vendosur ta zgjerojmë grupmoshën deri në 29-vjeç, për dallim nga 18 deri në 25-vjeç që ishte në fillim. Për 11 muaj kanë arritur që të punësohen 9 400 të reja e të rinj edhe ndarja në bazë gjinore është 50-50”, ka theksuar Murati.
Ai tutje ka thënë se masa tjetër e punësimit direkt kishte të bënte me punësim e grave. “Nga masa 1.3 është mbështetur punësim i 5 mijë grave. Masa 1.7 ka pasur mbështetje të të rinjve që ka rigjeneruar mbi 1 mijë vende të punës. Nëse marrim vetëm këto masa, bëhet fjalë për mbi 20 mijë vende të reja të punës. Ka edhe shumë masa tjera që mënyrë të tërthortë kanë ndikuar që të rritet punësimi. Nëse shohim statistikat nga një shkurti i viti 2021, bëhet fjalë për 9 mijë vende të reja punës në sektorin e prodhimit të shtuara”, ka theksuar ai.