Nga Ilir KRASNIQI
Italia mbetet një nga vendet me qytete të bukura bregdetare që akëcilin vizitorë e lënë pa frymë me bukurinë dhe sharmin e tyre. Në secilin cep të këtij vendi vërehet afërsia që kanë italianët me shqiptarët. Këtë herë rastisi të jemi në Bari të Italisë në një veprimtari të organizuar nga Unionin e Gazetarëve shqiptarë. Nisemi nga Durrësi me traget për një lundrim nate përgjatë detit Adriatik. Diku pas mesnatës 2-3 orë dallgët e mëdha na tundën goxha fort.
Sapo të mbërrijmë në Bari në qytetin me mbi 400 mijë banore, do të ndjejmë sharmin e jashtëzakonshëm që jugu i Italisë zotëron, sipas shumë njerëzve, shpirtin e vërtetë autentik. Ky qytet i ndodhur në pjesën juglindore të Italisë, në të ashtuquajturën thembra e Gadishullit Apenin ka filluar ti zë vendin mekës së dikurshme të shopingut në vitetet e ‘80 Triestës për shumë qytetarë nga ana e Kosovës.
Bari me një pasuri të trashëgimisë kulturore nga viti në vit po bëhet çdo herë e më tërheqës për turistë nga mbarë bota dhe jo vetëm pikë ndalese tranzitore. Ky qytet mbetet një derë e madhe për shqiptarët, pas së cilave shfaqet një panoramë e bukur që ia vlen të eksplorohet. Akëcili vizitor është e pamundur të mos gjejë një kënd të tij. Vizitorët kënaqen duke ecur nëpër Qytetin e Vjetër që fillon nga porti. Rrugët piktoreske të qyteti port, kalimet e ngushta, shpijnë tek një nga shenjtëroret më të mëdha të krishtera, bazilikën St. Nikolla, ku ndodhen reliktet e këtij shenjtori të madh.
Për shkak të portit dhe pozicionit pranë Portës së Otrantos, ky qytet ka qenë gjithmonë i rëndësishëm, veçanërisht për anijet dhe tragetet që lundrojnë nga Shqipëria. Qyteti duket i afërt për vetë mënyrën e sjelljes së qytetarëve dhe shërbimeve që ofrohen.
Ne u vendosëm në një kompleks që bashkëjetonte me natyrën, ku përveç oborreve të mëdha të ndërtesave ballkonet e tyre ishin të mbushura edhe me pemë të ndryshme. Jashtë dritareve kjo pjesë e qytetit bie në gjumë. Lëvizjet e makinave nuk të turbullojnë veshët. Shëtitjet nëpër këto pjesë na çojnë në botën e bukurisë, vuajtjes dhe dashurisë, duke na dhënë mundësinë të përjetojmë emocione të ndryshme.
Gatimet italiane me duar të shqiptarëve
Nëse qëndroni për dy tre ditë shpejt do të dashuroheni në këtë qytet si një dhuratë që shkruan jeta. Në kuadër të një tryeze rreth “Partneriteti strategjik ekonomik midis Italisë dhe Shqipërisë”, Konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë për rajonin e Puglias, Arjan Vasjari duke folur për rolin e medias si ura bashkëpunimi mes dy vendeve, vuri theksin në integrimin e mijëra shqiptarëve në këtë rajon dhe kërkoi vëmendje që kjo lidhje e hershme dhe e përhershëm mes dy vendeve fqinj të jetë e vazhdueshme. Se sa të integruar janë shqiptarët në këtë vend tregon edhe angazhimi i pesë ekspertëve shqiptarë impiantet gazsjellësit TAP që vinte prej Shqipërisë, një zonës së sigurisë së lartë, që u vizitua nga një grup gazetarësh. Ky qytet është gjithashtu një parajsë për gastronominë, ku çdo ditë mund të gjeni veten në duart e kuzhinierëve shqiptarë.
Në rrugën Viale Orazio Flacoo ndodhet një cep aromatik. Aty është i vendosur një nga restorantet që mban çdo ditë erë specialitetesh italiane.
Ky është restorant piceri Gate 22 , në një ambient të qetë nga qendra 2 kilometra të cilën e disponon shqiptari Bledar Metaj. Ai ka arritur mjaft sukses, ku lokali i tij, ishte mjaft i frekuentuar. Mikpritja nga stafi i lokalit ishte e jashtëzakonshme dhe e ngrohtë gjatë një darke pune që përcillej me vargjet e poetëve shqiptarë.Përveç llojeve të ndryshme të picave shumë të shijshme, përgatiteshin sallata delikates por në meny kishin llojet e ndryshme të peshqve të cilat përgatiteshin në një mënyrë të veçantë dhe plot shije. Çmimet nuk ishin të larta por nën mesataren italiane , ndonëse cilësia dhe shërbimi ishin tejet të larta. Kreativiteti kulinar i lokalit dhe verërat e përzgjedhura ju ofrojnë një përvojë të paharrueshme.
Aleksandër Çipa, si gjithmonë i vëmendshëm në çdo detaj të aktiviteteve që udhëheq, në cilësinë e drejtuesit të UGSH, u dhuroi librin “Nënë Tereza shenjtorja që na bekon” , pronarit shqiptarë dhe një punonjësi për atë pritje dhe të arriturat e tyre.
Në këtë mbrëmje të veçantë shumë shkrimtarë e poetë nga diaspora e trojet si dhe gazetarë të kulturës ndanë recitime dhe biseda të shkëlqyera. Mes të cilëve spilatën Flora Brovina, Iliaz Bobaj, Iliriana Sulkuqi, Alketa Gashi Fazliu, Mimoza Leskaj, Shqipe Bytyçi, Hasan Aliaj, Hamdi Hysuka, Hasan Bulçari, Yllka Merkuri, si dhe gazetarë e poetë nga Shqipëria si: Aleksandër Çipa, Frrok Çupi, Elona Agolli , Besim Dybeli, Vladimir Muçaj, Ymer Hysa, duke spikatur edhe emrin e gazetarit arbëresh Mario Calavia të cilit iu nda Çertifikatë Mirënjohje.
Një mbrëmje romantike dhe poetike në këtë restorant e mbushi ditën tonë të bukur me kaq shumë dashuri dhe lumturi në humorin e fortë të pjesëmarrësve. Përfundojmë natën kur qyteti i gjallë shfaqet si një rrjet kufijsh midis errësirës dhe dritës, një hapësirë reale e kufijve të kontrasteve. Hapësirat private qëndrojnë më të mbyllura teksa ato publike bëhen më të vëmendshme dhe të arritshme. S’ka si mos të jetë në këtë qytet ku rrethinat e tij, janë ende një sekret i ruajtur mirë për turistët e huaj. Me atmosferën e tij të qetë, Bari nuk pretendon të jetë i mbushur me turistë, por ofron një përvojë autentike italiane. Për italianët, nga ana tjetër, është një resor i njohur, i preferuar me mbi 100 plazhe të mirëmbajtura në zonë dhe pamje të shumta kulturore dhe historike.
Për ata që ia mësyjnë këtij qyteti, dua të ndajë ca të dhëna lidhur me transportin i cili shpesh mund të jetë i lartë në mungesë informaioni. Aeroporti i Barit është 8 km nga qyteti, dhe ju mund të shkoni nga aeroporti në qytet dhe anasjelltas në disa mënyra. Mënyra më e përshtatshme e transportit ishte autobusi i qytetit, çmimi i biletës së të cilit është një euro. Transporti më i shpejtë për në qytet është me tren – në vetëm 15 minuta do të mbërrini në Bari për një biletë treni prej 5 euro. Transferimi me taksi nga aeroporti në qendër të Barit kushton rreth 25 euro. Për të lëvizur nëpër qytet dhe për të vizituar pamjet përreth Barit, është më me kosto-efektive nëse përdorni transportin me autobus, i cili është më i lirë se treni. Linjat brenda qytetit janë të lidhura mirë, përgjithësisht jo të mbushura me njerëz dhe çmimi i biletës është 1 euro. Ajo që na rastisi por falë kolegut Lenc Pisha, i cili kishte shijuar një ditë më herët këtë qytet, ishte që biletat e autobusit bliheshin në autobus por jo gjithë herë, sepse në disa destinacione duhej blerë në kioska. Veq kesaj ne dista stacione nuk parashihen ndalesa te detyrueshme te autobusëve, kështu qe duhet dhënë shenjë me dorë për ta ndalur. Andaj është mirë që secili vizitorë të lexojë tabelat në stacione.
Për akomodim ka mjaft mënyra nga hotelet e deri te hotelet tip apartamentesh B&B ku shërbejnë mëngjesin e bollshëm tipit tavolinë suedeze. Këto hotele nuk janë të shtrenjta nga 25 euro e deri në 70 euro për dy persona. Për ata që konsumojnë në lokale ushqime mos u habitni nëse llogaria vjen pak më tepër nga çmimet sepse në të përfshihej një taksë. Nëpër lokalet në pjesën e vjetër të qytetit dhe qendër cmimet e ushqimit nëpër restorante jane pak a shumë të njëjta. Përndryshe Pizat kushtonin nga 7 deri 12 euro nëpër restorante luksoze edhe mund të kalojnë 10 euroshin. Antipastat nga 10 deri 15 euro, kurse pjata kryesore nga 15 deri 20 euro. Një mëngjes i lehtë me një kafe, krosanë apo sandviç i vogël dhe një lëngë portokallit sillej nga 5 deri në 7 euro. Një kafe ekspreso nëpër kafiteri të zakonshme ishte nga 1 deri 2 euro. Një bidon i vogël uji 2 euro.
Pamjet në Bari – çfarë të shihni dhe vizitoni?
Bari është një qytet i gjallë mesdhetar me një histori të turbullt, të cilin do ta shihni menjëherë nga arkitektura e qytetit, si dhe temperamenti i banorëve të tij. Pjesa e vjetër e qytetit është atraksioni më i madh dhe pjesa më e rëndësishme e Barit. Karakterizohet nga mure të larta që sic thonin mbronin qytetin nga erërat, rrugët e ngushta me kalldrëm dhe ndërtesat e bardha me ballkone të veçanta hekuri. Në qytetin e vjetër mund të gjeni një numër të madh këndesh ideale për fotografi. Çdo ballkon është i gjelbëruar me Lavanderi.
Katedralja e Shën Sabinos është një kishë romane e shekullit të 13-të me një kriptë nëntokësore që përmban relike antike. Kalaja e Barit hap faqen e jashtme në një new window. Ajo është ndërtuar në shekullin e 12-të dhe ka një oborr qendror të rrethuar me mure të mëdha, duke ofruar një pamje të mrekullueshme të qytetit.
Sheshi Mercantile është një pjesë e bukur dhe arkitekturisht interesante e qytetit të vjetër që duhet ta vizitoni. Shëtitorja e qytetit e gjallëruar pandërprerë duket si një pistë e sfilatava të modës dhe me lokale te mbushura. S’ka si të jetë ndryshe në qytetin e këngëtares se njohur shqiptare Ana Oxa, sopranes Licia Albanese, këngëtarit dhe aktorit Domenico Modugno, mbretëreshës së Polonisë Bona Sforza, aktorit Riccardo Cucciolla e shumë e shumë figurave tjera të kulturës që ka dhënë ky qytet. Në afërsi ndodhet edhe Teatri Petruceli i katërti më i madh në Itali, do ta njihni lehtësisht sepse dallon nga ndërtesat e tjera nga fasada portokalli.
Shoping në Bari
Italia është e njohur për produkte të mira dhe Bari nuk bën përjashtim, pavarësisht nëse dëshironi të blini gjëra të prodhuara në Itali apo marka botërore.
Rruga tregtare më e famshme është Via Sparano, ajo ndodhet në pjesën qendrore të Barit të ri dhe në të mund të gjeni një numër të madh dyqanesh të markave të famshme. Në dalje të qyteti ku ndodhet bajpasi i autostradës ndodhen qendrat tregtare me firmat e njohura. Nëse niseni me një valixhe bosh për të shijuar blerjet këtu, mos humbisni Corso Cavour dhe Via Manzoni. Aty gjenden mallra me zbritje deri 70 për qind. Problem mund ta kenë vetëm ata që kanë mbi peshë, duke qenë që italianët i kushtojnë rëndësi vitalitetit trupor. Shkeputemi nga nga ky qytet ku ngjyrat e ndezura të lokaleve në pjesën e vjetër të qytetit krijojnë imagjinata të pakufishëm. Ia vlen të vizitohet.