Dëshmitari i 45-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Hajrush Kurtaj, po vazhdon dëshminë e tij në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Kurtaj ka thënë se nuk e di si është bërë Shukri Buja komandant i Zonës Operative në Nerodime.
Dëshmitari Kurtaj po vazhdon ta marrë në pyetje avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, i cili në fillim të pyetjeve të tij u fokusua te inkuadrimi i dëshmitarit në UÇK, emërimet e komandantëve të Brigadës 162 në Kaçanik, për strukturën e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes dhe komandantin e kësaj zone, Shkuri Buja.
Kurti ka theksuar se në UÇK është kyçur vullnetarisht dhe se për këtë, ai ka diskutuar me vëllain e tij, Xheladin Kurtaj, që sipas tij tani është Hero i Kombit dhe me komandantin e atëhershëm të Brigadës 162, Agim Bajramin.
Ai ka thënë se nuk ka pasur njohuri deri pas lufte për strukturën e UÇK-së në Nerodime dhe as si ishte emëruar komandant i saj, Shukri Buja.
Gjithashtu Kurtaj ka deklaruar se nuk e di si dhe kush e kishte emëruar Agim Bajramin komandant të Brigadës 126, dhe as Qamil Ilazin që e zëvendësoi Agim Bajramin pas rënies së tij në fushëbetejë.
Edhe sot seancën përmes video-lidhjes janë duke e përcjellë gjykatësi Christoph Barthe dhe Jakup Krasniqi.