Debati për dispozitat e Draft-Kodit Civil që ishte mbajtur në seancën e Kuvendit të Kosovës më 16.02.2022, çoi në dorëzimin e një padie kundër Kuvendit të Kosovës dhe deputetes, Labinotë Demi Murtezi.
Kjo padi u dorëzua në Gjykatën e Prishtinës më 01.03.2024 nga pesë organizata joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Marigona Shabiu, drejtoreshë e organizatës YIHR, tha se kjo padi u bë për shkak të cenimit të dinjitetit dhe diskriminimit të personave LGBTIQ+ gjatë kësaj seance.
“Deputetë dhe deputete të caktuar kanë keqpërdorur foltoren e Kuvendit për të demonizuar komunitetin LGBTIQ+. Kjo nuk i shërben në asnjë formë ushtrimit të mandatit përfaqësues të deputetit e as ushtrimit të funksionit ligjvënës nga Kuvendi” – tha Shabiu.
Sipas këtyre organizatave, disa deputetë kanë përdorur gjuhë stigmatizuese dhe diskriminuese ndaj këtij komuniteti, teksa shtojnë se nuk është ndërmarrë ndonjë veprim nga drejtuesi i seancës për të mos lejuar apo dënuar një gjuhë të tillë.
Kjo gjuhë, siç tha Shabiu ka pasur efekt poshtërues dhe diskriminues.
“Kemi qenë dëshmitarë sulmeve apo planeve për sulme terroriste ndaj tyre siç ishin rastet në Dokufest dhe në paradën e mbajtur në Prishtinë” – shtoi ajo.
Ndonëse tha se nuk aludon që Kuvendi apo deputetë të caktuar kanë qëllim nxitjen e dhunës apo diskriminim ndaj këtij komunieteti, Shabiu shtoi se “një efekt i tillë prodhohet nga fjalimet homofobe e cilësimet stigmatizuese siç ishin ato ë disa deputetëve të asaj seance dhe sidomos tolerimi nga Kuvendi”.
Ajo citoi edhe Avokatin e Popullit, i cili është shprehur se “kjo ka qenë ndoshta shpërfaqja më e qartë e gjuhës së urrejtjes dhe qasjes jotolerante dhe jorespektuese ndaj personave të komunitetit LGBTIQ+”.
Pesë organizatat që dorëzuan këtë padi janë Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS), Qendra për Barazi dhe Liri (CEL Kosova), Qendra për Zvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Civil Rights Defenders.
Në seancën e datës 16.023.2022, Projektkodi Civil kishte dështuar të kalonte në Kuvendin e Kosovës. Me 28 vota për, 28 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk e kishte miratuar në shqyrtim të parë Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës.
Debatet dhe kundërshtimet ishin në lidhje me nenin 1138 të këtij Projektkodi. Sipas Projektkodit Civil, në kapitullin II, saktësisht neni 1138, thuhet se martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua.
Kundër këtij Projektkodi ishin shprehur edhe institucionet fetare në Kosovë. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ipeshkëvia e Kosovës, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës më anë të një deklarate të përbashkët patën kundërshtuar nismën e institucioneve të vendit për shqyrtimin e Projektkodit Civil të Kosovës që ka të bëjë me rregullimin e martesës mes personave të gjinisë së njëjtë me një ligj tjetër të veçantë.
Deputetja e pozitës, Labinotë Demi – Murtezi kishte thënë se është kundër këtij neni, për shkak të mbrojtjes së moralit publik, ruajtjes së shëndetit publik dhe mbrojtja e interesit më të mirë të fëmijëve.
“Secili shtet flet për vete se cili është standardi i moralit shoqëror në atë shtet, ky standard në Kosovë e dikton si të pranueshme vetëm martesën mes gjinive të kundërta, çdo lidhje jashtë këtij kombinimi konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral” – kishte thënë deputetja.
Ajo po ashtu ka thënë se të dhënat e pakontestueshme shkencore thonë se martesat mes gjinive të njëjta janë të dëmshme për shëndetin e njeriut, pasi që siç tha ajo plotësimi i nevojave seksuale në forma të shthurura në kundërshtim me natyrshmërinë e njeriut përbën veprim që dëmton rëndë shëndetin publik, duke u bërë shkak i sëmundjeve të rënda dhe të pashërueshme siç është edhe HIV-AIDS.
Arsyeja e saj e tretë kishte qenë se për zhvillimin e shëndetshëm psiko-eocional të fëmijëve është e nevojshme figura e nënës dhe e babait.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në konferencën që është mbajtur më 27 dhjetor 2023, tha se në vitin 2024, Kodi Civil do të miratohet në dy lexime.
“Ekziston bindja se është projektligj që duhet të ketë mbështetje më shumë se të pozitës, viti i ardhshëm është viti final dhe besoj që në vitin e ardhshëm ta miratojmë në dy lexime” – tha Kusari – Lila në konferencën e 27 dhjetorit 2023. /kallxo/