Presidenti Joe Biden priti të mërkurën kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida në Shtëpinë e Bardhë për bisedime në lidhje me situatën delikate të sigurisë në Paqësor. Ai do të mbaj gjithashtu një darkë shtetërore për nder të udhëheqësit japonez që është bërë një ndër aleatët më të fortë të presidentit Biden mes krizave të shumta ndërkombëtare.
Vizita zyrtare e zotit Kishida është në vazhdën e vizitave të udhëheqësve të grupit të Katërshes, një partneritet mes Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Australisë dhe Indisë, bashkëpunim të cilit Shtëpia e Bardhë i ka dhënë më shumë rëndësi që nga marrja e detyrës nga presidenti Biden. Sipas zyrtarëve amerikanë, vizita më e fundit është edhe më e rëndësishmja në këtë kuadër.
Kjo vizitë shënon edhe përmbushjen e transformimit të Japonisë nga një faktor rajonal në një faktor me ndikim global. Zyrtarët e administratës së presidentit Biden vënë në dukje se Tokio ka mbështetur pothuajse të gjitha iniciativat e Shteteve të Bashkuara në mbarë globin. Ata vënë në dukje rolin udhëheqës të Japonisë për ta mbështetur Ukrainën përballë sulmit të Rusisë, si dhe për furnizimin me ndihma të Gazës.
Përveç problemeve komplekse në skenën globale, Presidenti Biden dhe kryeministri Kishida janë duke u përballur gjithashtu me sfida të vështira të brendshme politike. Ashtu si presidenti Biden, edhe kryeministri Kishida është përballur me nivele të ulëta mbështetjeje nga publiku në anketime, përgjatë pothuajse të gjithë mandatit të tij.
Përpjekjet e presidentit Biden për t’u rizgjedhur janë shoqëruar nga shqetësimi i elektoratit amerikan për inflacionin, kundërshtitë në radhët e demokratëve për menaxhimin e luftës Izrael-Hamas, si dhe shqetësimet se presidenti 81-vjeçar mund të jetë tepër i moshuar për të qeverisur edhe për katër vite të tjera. Në sferën ekonomike, qeveria publikoi të mërkurën të dhëna të reja që tregojnë se inflacioni i mallrave të konsumit u rrit gjatë muajit të fundit, i nxitur nga çmimet e karburantit, qiratë dhe të siguracionit të makinave.
Kryeministri Kishida përballet ndërkohë me një ekonomi të Japonisë që ra në vendin e katërt në botë, pas tkurrjes në tremujorin e fundit të vitit 2023 dhe renditjes tashmë pas Gjermanisë. Anketimet në Japoni tregojnë se mbështetja e publikut për zotin Kishida, i cili u zgjodh në vitin 2021, ka rënë ndërsa ai përballet me një skandal korrupsioni brenda Partisë së tij Liberal-Demokrate në pushtet.
“Për presidentin Biden, ky është sigurisht një shans për të vënë në dukje dhe për të forcuar më tej përparimin në këtë marrëdhënie, e cila është marrëdhënia më e rëndësishme dypalëshe në rajonin Indo-Paqësor. Është një shans për ta ruajtur këtë marrëdhënie si parësore”, tha Christopher Johnstone, ish-zyrtar për sigurinë kombëtare në administratën e presidentit Biden dhe tani drejtues i programeve për Japoninë në Qendrën për Studimet Strategjike dhe Ndërkombëtare. “Për zotin Kishida, ky është një shans për të demonstruar lidhjet e tij me Shtetet e Bashkuara dhe për të rritur mbështetjen në vendin e tij”.
Ekzistojnë edhe dallime mes dy udhëheqësve. Vizita ndodh pasi presidenti Biden njoftoi muajin e kaluar se është kundër shitjes së planifikuar të një uzine çeliku në Pittsburgh, nga kompania amerikane “U.S. Steel”, tek kompania japoneze “Nippon Steel”. Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara duhet “të ruajnë kompani të forta të çelikut amerikan, të cilat mbahen nga punëtorët amerikanë”.
Presidenti Biden e mirëpriti kryeministrin Kishida të mërkurën me një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë. Udhëheqësin patën bisedime zyrtare në Zyrën Ovale dhe një konferencë të përbashkët për shtyp, përpara se të merrnin pjesë në një darkë zyrtare, ku pritet të ketë edhe pjesë muzikore nga kantautori Paul Simon, një artist i preferuar për kryeministrin Kishida dhe për zonjën e parë amerikane Jill Biden.
Çifti presidencial mirëpriti zotin Kishida dhe bashkëshorten e tij në një darkë mbrëmjen e së martës, në një restorant me ushqime deti në kryeqytet.
Pas sulmit të Rusisë në Ukrainë, Japonia iu bashkua me shpejtësi Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë në vendosjen e sanksioneve të ashpra ndaj Moskës. Kompanitë japoneze të prodhimit të automobilëve, Mazda, Toyota dhe Nissan, njoftuan tërheqjen e tyre nga Rusia.
Tokio ka qenë ndër donatorët më të mëdhenj për Kievin që nga fillimi i sulmit të Rusisë dhe Japonia ka shtuar shpenzimet e saj për mbrojtjen, mes shqetësimeve për rritjen e aktivitetit ushtarak të Kinës.
Në këtë kuadër, Japonia ra dakord për blerjen e raketave amerikane Tomahawk dhe të raketave të tjera me rreze të gjatë, të cilat kanë kapacitetin të godasin objektiva në Kinë dhe në Korenë e Veriut, siç parashikohet në një strategji të re sigurie të përqëndruar në një përqasje më ofensive. Japonia, Britania dhe Italia filluan gjithashtu bashkëpunimin për të prodhuar një avion luftarak të gjeneratës së ardhshme.
Zoti Kishida do të qëndrojë në Uashington deri të enjten për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë ShBA-Japoni-Filipine, ku pritet të mbizotërojë gjatë bisedimeve tematika e veprimeve agresive të Kinës.
Marrëdhëniet mes Kinës dhe Filipineve janë vënë vazhdimisht në provë gjatë incidenteve mes anijeve të dy vendeve në rajonin e Detit të Kinës Jugore, mbi të cilin kanë pretendime të dyja vendet. Anijet e rojës bregdetare kineze u afrohen gjithashtu rregullisht ishujve të kontrolluar nga Japonia në Detin e Kinës së Lindjes.
“Synimi kryesor i kësaj marrëveshjeje trepalëshe është që të mundemi të begatojmë, të mundemi ta ndihmojmë njëri-tjetrin dhe që të ruajmë paqen në Detin e Kinës së Jugut, si dhe lirinë e lundrimit në Detin e Kinës së Jugut”, u tha gazetarëve presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., përpara se të largohej nga Uashingtoni të mërkurën.