Presidenti kinez Xi Jinping po viziton sot Francën, gjatë së cilës presidenti francez Emmanuel Macron do të përpiqet të arrijë një marrëveshje me të për reduktimin e çekuilibrit tregtar dhe të ndikojë që ai të përdorë ndikimin e tij në Rusi në lidhje me luftën në Ukrainë.Asnjë nga objektivat nuk do të jetë i lehtë për t’u arritur gjatë qëndrimit dy-ditor të Xi Jinping në Francë dhe në një kohë të tensioneve tregtare në rritje midis Evropës dhe Kinës, raporton Reuters.
Franca po mbështet një hetim të Bashkimit Evropian për eksportet e automjeteve elektrike nga Kina dhe në janar Pekini nisi një hetim për importet e rakisë, e cila prodhohet kryesisht në Francë, në atë që shihet si një kundërmasë ndaj një numri në rritje të hetimeve evropiane.
– Ne duhet të vazhdojmë të ushtrojmë presion mbi autoritetet kineze për të na dhënë më shumë garanci në lidhje me çështjet tregtare – tha një zyrtar i paidentifikuar i Pallatit Elysée përpara vizitës së Xi.
Takimet e Xi në Paris do të përfshijnë bisedime me Macron dhe kreun e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe sipas agjencisë britanike, ndarjet brenda Bashkimit Evropian, veçanërisht midis Francës dhe Gjermanisë, po minojnë aftësinë për të ushtruar ndikim në Kinë. .
Franca do të përpiqet gjithashtu të bëjë përparim në hapjen e tregut kinez për produktet e saj bujqësore dhe të adresojë shqetësimet e industrisë franceze të kozmetikës për mosrespektimin e të drejtave të pronësisë intelektuale.
Xi do të largohet nga Franca të martën pasdite dhe do të vizitojë Serbinë dhe Hungarinë.