Numri i vizitorëve të huaj shënoi rritje vjetore me 43.4% në tremujorin e parë 2024, por në të njëjtën periudhë, eksportet ranë me 22% dhe importet e ushqimeve u rritën në të njëjtën masë. Zhvillimi i vrullshëm i turizmit nuk po lidhet me sektorin e prodhimit, duke bërë që një pjesë e madhe fitimeve të industrisë të rikthehen jashtë për importin e mallrave. Ekspertët pohojnë se përfitimet e ekonomisë zbehen nëse nuk nxitet bujqësia dhe sektorët të tjerë të prodhimit. Shembujt se si mund të nxisë turizmi sektorët e tjerë, që nga bujqësia, agro-përpunimi dhe prodhimi i detergjentëve dhe mobilieve
Rritja me shpejtësi e numrit të vizitorëve të huaj në vendin tonë është një mundësi e artë për të nxitur më tej ekonominë dhe mirëqenien në vend. Përvojat e vendeve të tjera mesdhetare (Italia, Greqia, Turqia, Spanja etj.) na tregojnë se, nga turistët nuk përfitojnë vetëm hotelet dhe restorantet, por shumë sektorë që lidhen me prodhimin dhe sidomos bujqësia dhe i gjithë zinxhiri i furnizimit që i nevojitet turizmit.
Kjo lidhje e bën turizmin gjithëpërfshirës dhe zgjeron përfitimet te më shumë njerëz. A po ecën në këtë trajektore Shqipëria? Të dhënat tregojnë një prirje të kundërt. Teksa numri i turistëve është duke u rritur në rekorde, sektori i prodhimit, bujqësia, industria dhe eksportet në përgjithësi po bien me shpejtësi.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në tremujorin e parë të vitit, numri i të huajve në territorin shqiptar ka kaluar 1.5 milionë, me një rritje 43.4%, pasi shënuan rekordin e 10 milionëve në 2023.
Në kontrast, sektori i bujqësisë në vitin 2023 shënoi rënien më të madhe që nga viti 1997, prirje që ka vijuar edhe në vitin 2024. Mungesa e lidhjes me sektorët e tjerë po bën që një pjesë e madhe e fitimeve që vijnë turizmi të dalin jashtë për importin e mallrave që na duhen për turistët.
Në tremujorin e parë, artikujt që lidheshin me furnizimet e hoteleve shënuan rritje në sasi nga 20-80%, duke ndikuar negativisht deficitin tregtar. Në janar-mars 2023, raporti i mbulimit të importeve me eksporte ishte 45,6% nga 58,9% në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Fatmir Braha, me përvojë 30-vjeçare në prodhimin e mobilieve, tha se nuk është duke përfituar as nga zhvillimi i turizmit dhe as nga ndërtimi. Ai tha se sektori i përpunimit të drurit po vuan mungesën e punonjësve dhe e ka të pamundur të plotësojë kërkesat voluminoze të hoteleve. Shumë prej mobilieve të hoteleve po vijnë nga Kina e largët për shkak edhe të kostos më të lirë.
Biznesmeni Ram Geci, i cili zotëron “Hotel Tirana International”, dhe po përfundon punimet e hotelit të ri shumëkatësh “Tirana InterContinental”, tha se në politikat e tij është furnizimi nga tregu i brendshëm, por në disa raste, kjo është e pamundur.
Në hotelin e ri në qendër të vendit do të operohet nga marka ndërkombëtare “InterContinental” që nga dizajni, mobiliet etj., të cilat do të merren nga jashtë vendit për shkak se tregu vendas nuk mund të përmbushë kërkesën. “Kam një politikë të cilën synoj ta zbatoj me korrektesë. Për të njëjtin çmim do të zgjidhet gjithmonë prodhim vendi”, tha z. Geci, por kjo nuk është e mundur në të gjitha rastet.
Të dhënat tregojnë se prodhimi vendas, në vend që të rritet me ardhjen e turistëve, po ulet më tej. Për ekspertët e ekonomisë dhe ata të biznesit, rritja e turizmit dhe rënia e prodhimit ka pasoja. Alban Zusi, i cili operon në sektorin e industrisë përpunuese, thotë se falimenti i njësive të prodhimit jep pasoja zinxhir që nga arsimi, taksat, punësimi, shkatërron industritë mbështetëse dhe rrënon punën 20-vjeçare që ka bërë vendi në krijimin e “Made in Albania”.
Për ekonomistin Panajot Soko, ekonomia shqiptare duhet të bazohet te prodhimi shqiptar. Tregu i prodhimeve është i qëndrueshëm, me normë shumë të lartë vlerësimi, ndërsa tregu i shërbimeve, edhe për shkak të avancimit teknologjik e shoqëror është i paqëndrueshëm, me norma shumë të larta zhvlerësimi.
Prodhimi në krizë, rënia e eksporteve më 2024, më e madhja në 20 vjet
Ecuria e eksportove në tremujorin e parë të vitit 2024 tregoi gropën ku po rrokullisen prodhuesit shqiptarë, të cilët të dërrmuar nga rënia e Euros, rënia e kërkesës nga jashtë dhe mungesa e punonjësve tani po falimentojnë masivisht.
Në tremujorin e parë të vitit, eksportet në vlerë pësuan rënie vjetore me 22.3%. Kjo ishte rënia më e madhe që nga viti 2005, kur INSTAT nisi të raportojë të dhënat e tregtisë së jashtme me baza mujore.
Madje ritmet e rënies ishin edhe më të larta se sa gjatë vitit pandemik 2020, kur bota ishte në masa të rrepta të kufizimit në lëvizje për të penguar përhapjen e koronavirusit. Ka disa vite kur eksportet kanë pësuar rënie, por faktorët kanë qenë momentalë dhe ringritja ka ardhur shumë shpejt.
Këtë herë, bizneset nuk kanë shumë shpresa, pasi tashmë Shqipëria ka humbur avantazhet si një treg i lirë prodhimi. Florian Zekja, nga shoqata Pro-Eksport, thotë se çmimet e prodhimit u rritën ndjeshëm pas vitit 2023, me rritjen e pagës minimale, ndërsa eksportuesit pësuan humbje dyshifrore nga zhvlerësimi i Euros.
Këto ngjarje rritën çmimet e prodhimit dhe kjo i ka zhvendosur klientët europianë të veshjeve dhe këpucëve nga Shqipëria në vende të tjera të Azisë, ku kostot janë më të lira. Ndryshe nga vitet e tjera, në tre muajt e parë të këtij viti, eksportet shënuan rënie për të gjitha kategoritë. Rënia ishte dyshifrore për shumicën e gupeve, ku industria e përpunimit pati rënie mbi 20% të vlerës së mallrave të shitura jashtë.
Zoti Zekja tha se shpresat për rikuperim janë të pakta, për shkak se klientët potencialë kanë braktisur Shqipërinë. Rënia e Euros ka qenë faktor kryesor që ka dëmtuar eksportin. Një euro aktualisht kushton 100.8 lekë, teksa në vitin 2022, 1 euro kushtoi mesatarisht me 122,4 lekë.
Në dy vitet e fundit, Euro është zhvlerësuar me rreth 22 pikë për qind, duke ulur në një mënyrë të ngjashme fitimet e eksportuesve. Kjo situatë po bëhet shkak për uljen e konkurrencës së prodhimit vendas në të gjithë sektorët dhe industritë, thotë Alban Zusi.
Rënia e vlerës së Euros po dëmton eksportet dhe po nxit importet. Importet me çmime të lira po godasin prodhimin vendas. P.sh., një kilogram fasule dhe patate nga importi këtë vit u shit me çmime gati 30% më të lira se prodhimi vendas, duke dekurajuar gjithnjë e më shumë bujqit të mbjellin tokat.
Si po rikthehen jashtë vendit fitimet nga turizmi
Vlera e ushqimeve të importuara jashtë vendit në tremujorin e parë të vitit ishte mbi 2,2 miliardë lekë, ose mbi 20 milionë euro më e madhe se një vit më parë në të njëjtën periudhë.
Importet e grupit të ushqimeve shënuan rritje me 22%, dhe në disa grupe si zarzavatet dhe frutat, rritja ishte mbi 60%. Të dhënat mbi tregtinë e jashtme në tremujorin e parë të këtij viti tregojnë se importet e çadrave të diellit në sasi u rritën me 61% në janar-mars 2024, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Zhvillimi i turizmit po nxit edhe shërbimet e lundrimit me varka dhe anije të vogla, të cilat po bëhen të zakonshme në turizmin detar dhe liqenor.
Të dhënat tregojnë se sasitë e importeve të varkave dhe mjeteve të lundrimit shënuan rritje me 79% në tremujorin e parë të vitit. Importet e produkteve prej kashte shënuan gjithashtu rritje me mbi 45%. Rritje me mbi 15% pati edhe grupi “Mobilieri, krevate, dyshekë, llamba etj.”. Të dhënat nga tregtia e jashtme tregojnë se, zhvillimi i turizmit është duke nxitur rritjen e importeve në produkte kryesore të konsumit në vend dhe sidomos tek ushqimet.
Përveç lëndës së parë, hotelet në vendin tonë po nxiten të importojnë gjithnjë e më shumë punonjës jashtë vendit, për shkak se tashmë, fuqia punëtore shqiptare ka emigruar. Alban Zusi, i cili operon në sektorin e prodhimit, por me formim profesional në turizëm, tha se mbi 75% e fitimeve të turizmit kthehet sërish në import. Ekspertët e sektorit analizojnë se pjesa dërrmuese fitimeve të sektorit të turizmit ikën sërish jashtë vendit për importet e lëndës së parë që u duhen hoteleve dhe restoranteve.
Nëse turizmi nuk lidhet me sektorë të tjerë të ekonomisë dhe sidomos me prodhimin, do të mungojnë përftimet me bazë të gjerë. Ekspertët sugjerojnë se prodhuesit duhet të përshtaten me kërkesat e turizmit, por të dhënat tregojnë se sektorët përballen me vështirësi që lidhen me njëri-tjetrin. P.sh., në vitin 2022, teksa u pa një rritje fortë e njësive të akomodimit, kishte një rënie të fortë të bizneseve të mobilieve.
Hotelet, shembujt e mirë që po nxisin prodhimin
Osman Kokoshi zotëron një nga strukturat më të mëdha hoteliere në zonën e Golemit “Klajdi Resort”. Ai është shembulli si një hotel i madh e ka lidhur zinxhirin e furnizimit me prodhimin vendas. Përpara se të rriste kapacitetet në hotel, zoti Kokoshi ka investuar në një serrë në të cilën prodhohet e gjithë lënda e parë që i duhet hotelit.
“Kam ngritur edhe baxhon dhe kam mjete lundruese që zënë peshkun që i duhet hotelit” tha z. Kokoshi. Përveç perimeve, bulmetit, shpendëve, ai i merr nga tregu i brendshëm të gjithë mobiliet dhe tapiceritë e hotelit.
“Të gjitha mobiliet i marr nga prodhuesit e Durrësit dhe tapiceritë i blej nga vendasit. Gjithçka lidhet me hotelin e prodhoj vetë ose e blej në tregun tonë”, – tha z. Kokoshi.
“Klajdi Resort” është shembulli se si turizmi mund të lidhet me ekonominë e brendshme dhe mund të rrisë edhe fitimet e hotelit. “Duke prodhuar vetë një pjesë të madhe të lëndës së parë që i duhet hotelit, kam mundësi për uljen e kostove dhe të krijoj më shumë mundësi për punësimin e vendasve”, tha ai.
Shumë hotele janë duke tentuar të ndërtojnë serrat e tyre, por kjo politikë nuk mund të adoptohet nga të gjitha. Pjesa më e madhe e hoteleve kanë kontrata me furnitorë të cilët jo gjithmonë tregohen të sinqertë me prodhimet, që shpesh ekspozohen si vendi, kur në fakt janë importi.
Nuk është e thënë që të gjitha hotelet të kenë serrat e tyre, por nëse ato lidhen me prodhimin vendas, kjo mund të ndihmojë të gjithë ekonominë. Por që kjo të ndodhë duhen masa të organizuara nga qeveria që lehtësojë kostot për bujqit nëpërmjet subvencioneve, në mënyrë që ata të jenë konkurrues me importin.
Turistët me rritje, bagëtitë dhe ngastrat e mbjella në rënie
Bujqësia është sektori më i madh në ekonominë e vendit, dukë zënë rreth 19% të PBB-së dhe kontribuuesi kryesor në punësim, por tregu vendas i përmbush nevojat për ushqime nga importi. Madje me rritjen e numrit të turistëve, importet janë zgjeruar edhe më shumë, duke konkurruar shpesh edhe prodhimin vendas në çmime. Gjatë periudhës janar-mars, importet e ushqimeve dhe pijeve ishin 2.8 herë më të larta se eksportet e këtij grupi.
Diferenca u zgjerua ndjeshëm në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023 kur importet e ushqimeve ishin 2,3 herë më të larta se eksportet. Tregjet e pakicës në kryeqytet këtë vit, si asnjë vit tjetër, janë të mbushura me mallra importi, pasi prodhimi vendas po pakësohet dhe nga ana tjetër, turizmi po nxit kërkesën. Ish-ministri i Financave, profesor Arben Malaj, thotë se bujqësia shqiptare, edhe pse është sektori më i madh i ekonomisë, është zhvilluar nën potencial.
Z. Malaj tha se kërkesa në rritje për produkte bujqësore dhe blegtorale, aq më tepër që kemi rritje të gjeografisë dhe zgjatje të sezoneve turistike, orienton dobishmërinë e rritjes së mbështetjes së bujqësisë. Nëse në vitin 2023, erdhën rreth 10 milionë turistë, rritet kërkesa për produktet ushqimore dhe për shërbimet plotësuese.
Efekti i projekteve infrastrukturore, që do të përfundojnë brenda vitit 2024, bërja efektive e fondeve të BE-së dhe me prioritet i fondeve nga IPARD sa më parë gjatë vitit 2024, një burim i konsiderueshëm për të bërë biznesin shqiptar sa më konkurrues, tha z. Malaj. Nëse bujqësia nuk lidhet me turizmin do të rikthejë jashtë fitimet e turizmit për të blerë ushqime. Por në vend që financimet buxhetore për bujqësinë të rriten, ato u ulën me 9% në buxhetin e këtij viti.
Në vitin 2024, shkurtimet më të mëdha janë në fondet akorduar fermerëve dhe zhvillimit rural. Masat mbështetëse të prodhimit bujqësor dhe zhvillimit rural do të jenë 7,1 miliardë lekë, nga 10 miliardë lekë këtë vit, me ulje 28%. Teksa fondet e IPARD që po mbështesin fermat e mëdha u pezulluan për korrupsion vitin e kaluar, fermerët shqiptarë e kanë vështirësuar edhe më shumë situatën në bujqësi.
Drita, e cila ka një fermë me 200 krerë dele në zonën e Lezhës, po falimenton, pasi çmimi i qumështit nuk e justifikon koston, teksa ka edhe një kredi për të shlyer. Dy vitet e fundit, numri i bagëtive ra me 20%, ndërsa gjatë dekadës, është përgjysmuar. Shpopullimi i zonave rurale ka çuar në faliment fermat familjare, Tkurrja e popullsisë në fshat dhe plakja e saj po tkurrin me shpejtësi numrin e bagëtive dhe po lënë djerrë ngastrat e vogla që dikur mbilleshin për vetëkonsum.
Në qarqet e Veriut nuk ka më tregje fshatarësh. Edhe ata fshatarë që kanë mbetur, ushqehen me produkte të blera në marketet e qyteteve.
Agronomi Nevion Telha pohoi se Korça vijon të jetë një prodhues i madh i patates dhe qepës, por këtë vit është rritur presioni i tregtarëve nga Tirana, të cilët thonë se furnizohen më lirë nga importi. Sipas të dhënave zyrtare nga doganat, çmimi referencë për pataten që vjen nga Kosova është 19 cent, rreth 20 lekë, ndërsa patatja e Korçës del nga prodhuesit me shumicë në 40 deri në 50 lekë.
Nga ana tjetër, konsumatorët në kohë inflacioni priren të furnizohen me artikuj që kushtojnë lirë dhe në këtë mënyrë po zgjerojnë importin. Tregtarët pohojnë se në një masë, importet po nxiten nga zhvillimet e vrullshme në turizëm.
Vitin e kaluar pati kërkesë të lartë për ushqime nga rritja e vizitorëve ne kohën e verës. Prodhimet vendase u konsumuan në një kohë të shkurtër, duke lënë magazinat bosh në dimër. Turizmi është një shans i mirë për bujqësinë nëse konsumi i tij lidhet me prodhimin vendas. Altin Prenga, i cili drejton njësinë më të madhe të agroturizmit në vend, thotë se oferta ushqimore ndaj turistëve duhet të jetë me prodhim vendas, pasi edhe kërkesa e tyre është e tillë.
Turistët, ndër të tjera, kërkojnë receta tradicionale të bazuara në prodhim vendas. Por është e qartë se me zhvillimet aktuale në bujqësi, prodhimet tona rrezikojnë të përmbushin kërkesën e turistëve, duke bërë që këta të fundit të bëhen shkak për rritjen e importeve.
Industria në rënie, nuk mund të përfitojnë nga turizmi
Vitin e kaluar, industria përpunuese pësoi rënie me 6.1%, më e madhja që nga viti 2012. Përfaqësuesit e sektorit pohojnë se rënia do të jetë edhe më e thellë këtë vit, pasi Euro po vijon të zhvlerësohet dhe Shqipërisë po i ikin klientët.
Në prill të vitit kaluar, 1 euro këmbehej mesatarisht me 111 lekë, ndërsa tani, kushton 100.8 lekë. Humbjet e eksportuesve janë thelluar me rreth 11% nga kursi i këmbimit, teksa industria për shkak të profilit të saj nuk mund të përfitojë nga turizmi. Fabrikat përpunuese dominohen nga prodhimi i veshjeve dhe këpucëve për eksport.
Flori Zekja, përfaqësues i industrisë, thotë se mjaftojnë vetëm 10 punishte të vogla për të siguruar të gjithë tapicerinë e hoteleve. Ndërsa industria e përpunimit të ushqimeve po lidhet pak me hotelet, për shkak të kostos së lartë me të cilat del prodhimi në Shqipëri. P.sh., një kilogram qumësht i importit është barazuar me atë të vendit, duke e bërë jokonkurrues për konsumatorin e rrjedhimisht, edhe për hotelet.
Gështenjat, boronicat e Tropojës tani po bëhen gliko dhe reçel nga biznesmeni Ardian Çitozi, i cili është dhe një nga eksportuesit më të mëdhenj të gështenjës dhe frutave që rriten në gjendje të egër. Ai tha se aktualisht, në të gjitha pikat e pakicës gjen shumëllojshmëri reçelesh të importuara.
Shqipëria është një nga vendet e pakta në Europë që mundëson fruta që rriten në gjendje të egër pa praninë e ndotjes dhe pesticideve. Mirëpo, për shkak të mungesës së mbështetjes financiare dhe ngarkesës së lartë fiskale, frutat që përpunohen në vend kanë kosto më të lartë se importi. P.sh. hotelet në të gjithë vendin janë konsumatorë të mëdhenj të reçelit, i cili në një masë të madhe importohet nga Kina me çmim shumë të lirë në një kohë që mollët e Korçës kalben.
Përpunuesit pohojnë se mungojnë incentivat vendase që të lidhin bujqësinë me sektorin e turizmit. Në mungesë të mbështetjes financiare mjafton edhe ndërgjegjësimi i hoteleve dhe restoranteve që të furnizohen me prodhime vendi.
Skema e TVSH gjithashtu i pengon përpunuesit dhe shitësit e pakicës që të tregtojnë prodhim vendi. Një dyqan në Tiranë, që shet vetëm prodhime organike nga vendi, është i rrezikuar në çdo moment, pasi nuk ka se ku të shkarkojë TVSH duke qenë se klientët e tij janë prodhues të vegjël dhe shesin pa fatura.
Zotëruesi i njësisë së prodhimeve organike tha se kërkesa për produkte vendi ka rritje me 30% në vit, por zgjerimi i aktivitetit në shumë pika të tjera është i pamundur, për shkak të problemeve me informalitetin.
Turizmi mund të nxisë prodhimin e detergjentëve
Shqipëria ka importuar vitin e kaluar 96 milionë euro detergjentë dhe sapunë për përdorim të brendshëm. Një pjesë e kësaj shume mund të qarkullohet në tregun e brendshëm, duke kryer disa procese të prodhimit në vend. Industria e turizmit mund të jetë një nxitës në këtë rast.
Kompania e prodhimit të detergjentëve “Get Klin” me prodhimet “Rea” tha se qarkullimi po rritet prej industrisë së turizmit. “Këtë vit kam nisur të prodhoj shampo me paketime të vogla për hotelet dhe kërkesa po rritet për shkak edhe të çmimeve konkurruese me importin dhe cilësisë”, – tha administratori i kompanisë.
Tregu vendas mund të zhvillojë disa procese të kësaj industrie, për të prodhuar lëndën finale në treg, – tha Alban Zusi nga Shoqata e Eksportuesve. Më shumë se 80% e detergjentit dhe sapunit të lëngshëm është ujë.
Duke importuar lëndën e parë dhe duke realizuar procesin e përzierjes në Shqipëri, një pjesë e detergjentëve mund të prodhohet në vend, duke shmangur, në këtë mënyrë, kostot e larta të transportit.
Duke realizuar prodhimet në vend, volumet e importit të detergjentëve do të uleshin me mbi 60%. Këto procese, thotë z. Zusi, nuk kërkojnë aftësi të larta, pasi tashmë në tregje ka makineri dhe formulat e përzierjes janë të automatizuara.
Kanë nisur disa përpjekje për prodhimin e detergjentëve, por shumica janë artizanale. Në Roskovec, Zadrimë dhe Rrogozhinë, për shembull, po prodhohet sapun nga disa njësi të vogla familjare, që më shumë shitet për nevoja kozmetike dhe jo për shërbimet masive të pastrimit.
Z. Zusi tha se disa procese në sektorin e prodhimit, edhe kur stabilizohen tregjet, mbeten konkurruese. Njësoj si industria fason që prodhon disa procese të veshjeve për tregun e jashtëm, mund të aktivizohen një seri ciklesh prodhimi në industrinë kimike që kanë si objektivt tregun e brendshëm. Monitor