Qendra për Ndryshime Klimatike në Maqedoninë e Veriut qytetarëve që janë të interesuar për mënyrat e uljes së faturave të energjisë elektrike në kushte të krizës energjetike u ofron aparatura falas për matjen e konsumit të energjisë elektrike te të gjitha pajisjet elektrike shtëpiake.
Në këtë mënyrë qytetarët do ta mësojnë saktësisht se cilat aparate shtëpiake ua rrisin faturat e rrymës, thonë nga kjo qendër.
Qendra për Ndryshime Klimatike si organizatë joqeveritare në Maqedoninë e Veriut vepron që nga viti 2007 dhe në fokus ka përmirësimin e performancave energjetike të vendit.
Pakoja e Qendrës për Ndryshime Klimatike në Maqedoninë e Veriut përmban katër matës për konsumin e energjisë elektrike, dy prej të cilëve operohen me internet, përmes një aplikacioni të telefonit celular, përderisa dy matësit e tjerë janë të lidhur në formë të drejtpërdrejtë në prizat, ku janë të kyçura aparatet e caktuara shtëpiake, për të cilat konsumatori është i interesuar të mësojë sa kilovat orë energji konsumojnë ato.
“Disa pajisje i hoqa tërësisht nga përdorimi”
Disa qytetarë që i kanë përdorur këto shërbime, thonë se i kanë ndryshuar shprehitë e sa i përket përdorimit të pajisjeve të caktuara në shtëpi.
Një nga ta është Martina Spasovska, e cila për Radion Evropa e Lirë thotë se pas matjes së energjisë elektrike të cilën e kanë shpenzuar pajisjet e ndryshme që përdor në shtëpi, menjëherë ka vendosur t’i zëvendësojë poçet elektrike me ndriçues led.
Madje ajo thotë se disa pajisje i ka larguar tërësisht nga përdorimi pasi ka mësuar se harxhojnë shumë energji elektrike.
“Tani nuk e përdor më bojlerin në kuzhinë, këtë pajisje e hoqa nga përdorimi tërësisht. Enët i laj vetëm në makinën për larjen enëve. Këtë vendim e mora pasi nga analiza e pajisjeve të Qendrës për Efikasitet Energjetik mësova se në këtë mënyrë harxhoj më pak energji elektrike – pra, duke përdorur makinën e larjes së enëve në kohën [e llogaritjes] me tarifë të lirë, sesa të përdor bojlerin për ngrohjen e ujit tërë ditën dhe me atë ujë të ngrohtë të laj enët”.
“Matjet në shtëpinë time treguan se llambat led harxhojnë shumë më pak energji elektrike nga poçet e zakonshme, andaj dhe këshilla ime mbetet që fillimisht të bëhet investim në ndriçimin, pasi kostoja për zëvendësimi e ndriçimit është më e ulët krahasuar me zëvendësimin e aparateve të tjera shtëpiake me efikasitet më të lartë energjetik”, thotë Martina Spasovska.
Ajo tregon se pajisjet ngrohëse, si bojleri dhe furra e shporeti elektrik janë pajisjet që harxhojnë rrymë më së shumti. Andaj ajo thotë se për t’i ulur faturat e energjisë elektrike këto pajisje përpiqet t’i përdorë më shumë gjatë kohës së llogaritjes së energjisë elektrike me tarifë të lirë, përkatësisht nga ora 22 deri në orën 7 të mëngjesit.
Por, Latif Hasani thotë se nuk e ka ndërmend të bëjë analizimin e pajisjeve elektrike në shtëpinë e tij.
Ai tregon se edhe ashtu tash një kohë të gjatë pajisjet elektro-shtëpiake i përdor në minimum. Me pagën prej 300 eurosh që merr, thotë se edhe gjërat elementare i janë bërë luks.
“Çka të kursej?! Edhe ashtu një dritë e lëshoj natën. Gjellën e gatuar e hamë dy ditë. Mundohemi disi për gazepi. Shumë pak e përdori rrymën. E shtyjmë disi sa të shkojë”, shprehet Latif Hasani.
Ulja e konsumimit të energjisë elektrike në funksion të mbrojtjes së ambientit
Nga Qendra për Ndryshime Klimatike në Maqedoninë e Veriut thonë se ulja konsumimit të energjisë elektrike nuk është e rëndësishme vetëm për shkak të faturave të larta të energjisë elektrike, por kjo ka një rëndësi të veçantë dhe për ambientin jetësor, pasi së fundmi me krizën e gazit natyror, rryma fitohet nga termoelektranat, të cilat punojnë me qymyr.
Filip Stojanovski, inxhinier i Makinerisë nga Qendra për efikasitet energjetik, thotë për Radion Evropa e Lirë se ideja e përdorimit të këtij është që të ndryshohen zakonet e qytetarëve për të përdorur më pak energji elektrike, prodhimi i së cilës kontribuon në ngrohjen globale.
“Për të reduktuar gazrat e dëmshme dhe sasinë e prodhimit të qymyrit në funksion të prodhimit të energjisë elektrike pasi tani kemi problem me gazin natyror, ne krijuam një pako pajisjesh, ku njerëzit mund të vetëdijesohen për sasinë e konsumit të energjisë elektrike në shtëpinë e tyre dhe kështu, përmes aplikimit të këtyre matësve, ata vetë do të shohin se sa energji harxhojnë përkatësisht për çka? Pra, ata do të bëjnë një llogari të qartë se çka është për ta domosdoshme dhe çka më pak e nevojshme. Me setin e matësve do të mësojnë si të kursejnë rrymën për gjërat që s’i kanë të domosdoshme”, thotë Stojanovski.
Institucionet duhet të bëhen shembull për qytetarët
Bojan Kordallov, komunikolog dhe kryetar i Institutit për qeverisje të mirë dhe perspektiva euroatlantike, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se qytetarët, për sa i përket kursimit të energjisë elektrike ndahen në tri kategori.
E para, ata që janë me të ardhura minimale, të detyruar dhe në çdo formë përpiqen të kursejnë, ata që kanë të ardhura të mjaftueshme dhe kursejnë minimalisht, dhe ata që kursejnë jo për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike, por për ruajtjen e ambientit dhe vetëdijes së lartë për sa i përket resurseve të kufizuara të energjisë elektrike.
Kordallov thotë se për t’u ngritur shkalla e kursimit nevojitet transparencë e institucioneve për gjendjen faktike për sa i përket kapaciteteve energjetike me të cilat disponon vendi.
“Ne, si institut, propozuam zbatimin e një aplikacioni ku qytetarët në çdo kohë do të kenë qasje te çdo institucion sa kilovat në orë rrymë ka shpenzuar krahasuar me të njëjtin muaj vitin e kaluar. Në këtë mënyrë, qytetarët do të kenë mundësi të shohin se sa institucionet paraqesin shembull të mirë për sa i përket kursimit”.
“E dyta ka të bëjë me edukimin, përkatësisht ngritjen e vetëdijes se ngarkesa e rrjetit mund ta lërë gjithsecilin në errësirë, prandaj me rëndësi të veçantë është kursimi”, shton Kordallov.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut që nga 1 shatori deri më 31 mars 2023 sa zgjat gjendja e krizës energjetik,e të gjitha institucionet e shtetit i ka obliguar ta kursejnë energji elektrike për 15 për qind më shumë krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, me synimin, siç kanë theksuar, “kursimin e energjisë elektrike për dimër të sigurt”.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka bërë të ditur se në bazë të të dhënave të konsumit në shtator 2022, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, institucionet shtetërore kanë arritur një kursim total të energjisë elektrike prej 18%”.
Autoritetet thonë se kursimi është më se i nevojshëm pasi Maqedonia e Veriut është e varur nga importi i energjisë elektrike.
Te dhënat e Komisionit Rregullator për Energjetikë tregojnë se Maqedonia e Veriut, me 1.8 milion banorë, importon një të tretën e energjisë elektrike që i nevojitet. Në vitin 2021, në Maqedoninë e Veriut janë konsumuar 7.906 gigavat orë energji elektrike, ndërsa janë prodhuar 5.285 gigavat orë.