Ish guvernatori i BQK Fehmi Mehmeti është mburrur me raportin e këtij institucioni për vitin 2023 për të cilën theksoi se nuk do të ishte i tillë pa harruar menaxhinin e tij, deri në mars të 2023
“Raporti vjetor i BQK-së për vitin 2023, flet për sistemin financiar në vend, rolin që BQK ka në ruajtjen e stabilitetit ekonomik e financiar dhe nuk do të ishte i tillë pa harruar menaxhimin tim si guvernator i BQK-së deri në 29 mars 2023.
Rezultatet e BQK-së janë arritur falë menaxhimit të suksesshëm të viteve të kaluara duke përfshirë edhe tre muajt e parë të vitit 2023, e që për fat të keq menaxhmenti i tanishëm nuk dëshiron t’i përmend e arsyet i dinë vetëm ata”, tha ai në një postim në profilin e tij në facebook.
Rezultatet e kaluara sipas tij, nuk do të ishin aq mbresëlënëse pa shikuar rolin që ka pasur dhe luajtur BQK në menaxhimin e COVID-19, luftën në Ukrainë, si dhe efektin që kanë pasur dy këto probleme në sistemin financiar, në gjithë botën dhe në Kosovë.
“Raporti flet për qëndrueshmërinë afatgjatë financiare të BQK-së dhe për realizimin me sukses të objektivave dhe detyrave të ngarkuara në bazë të ligjit, por nuk duhet harruar edhe bashkëpunimin e ndërtuar ndër vite me akterë ndërkombëtarë si FMN, Banka Botërore, BE, SHBA, etj.
Është e rëndësishme që sukseset dhe arritjet që i kam lënë në BQK të jenë një ndihmë për sistemin financiar dhe bankar në vend edhe për të ardhmen”, tha Mehmeti.
Përveçse mbajtja e qëndrueshmërisë financiare dhe bankare në Kosovë, ish guvernatori thotë se ajo siguron stabilitet ekonomik dhe financiar të vendit, ajo gjithashtu ndihmon në tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e sektorëve të ndryshëm ekonomikë të vendit.
“Një sistem financiar funksional dhe i sigurt lejon qytetarët dhe bizneset të kenë qasje të lehtë dhe të besueshme në shërbime financiare, duke kontribuar kështu në rritjen e mirëqenies dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në të gjithë vendin dhe kjo arrihet duke mos harruar të kaluarën dhe stabilitetin financiar në Kosovë”. /Kosovatimes/