Nga sot, komunat e Gjakovës, Rahovecit dhe Prizrenit do të përfitojnë një sistem të rehabilituar të ujitjes që mbulon rreth 6 mijë hektarë tokë bujqësore, në kuadër të përfundimit të suksesshëm të Projektit IRIS.
Ky investim, me vlerë totale prej 9.15 milionë euro, është financuar nga Komisioni Evropian dhe menaxhuar nga Banka Botërore, ndërsa zbatimi është udhëhequr nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes Njësisë për Implementimin e Projekteve (PIU), në bashkëpunim me institucionet vendore dhe partnerët teknikë.
Në ceremoninë e përmbylljes së projektit, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja theksoi rëndësinë e këtij investimi për modernizimin e sektorit bujqësor dhe për rritjen e efikasitetit në menaxhimin e burimeve ujore.
Ai vlerësoi se projekti përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një bujqësie më produktive, më të qëndrueshme dhe më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike.
Sipas tij, përmes ndërhyrjeve të realizuara janë arritur përmirësime të dukshme në infrastrukturën e ujitjes, reduktim i humbjeve teknike të ujit, rritje e efikasitetit operacional dhe forcim i kapaciteteve menaxhuese. Këto masa, sipas Ministrisë, pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e prodhimit bujqësor dhe përmirësimin e kushteve për fermerët në zonat e përfshira.
Ministria e Bujqësisë theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe partneritetit me Bashkimin Evropian dhe Bankën Botërore, duke e cilësuar këtë projekt si shembull të suksesshëm të investimeve të koordinuara në zhvillimin rural.
Në këtë kuadër, u theksua edhe roli i institucioneve implementuese, operatorëve teknikë, si dhe ndërmarrjes KRU “Dukagjini”, të cilët kontribuuan në realizimin e projektit.
Autoritetet bënë të ditur se përmbyllja e projektit IRIS nuk nënkupton fundin e angazhimeve, por fillimin e një faze të re për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të sistemit të ujitjes. Prioritet do të mbetet garantimi i funksionimit afatgjatë të infrastrukturës dhe mbështetja e fermerëve për rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë.
Ky investim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të bujqësisë dhe forcimit të sigurisë ushqimore në vend.

