Ndihmëssekretari i Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, u takua të mërkurën në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Ruge shkroi në rrjetin social X se temë diskutimi ishin edhe çështjet rajonale, përshirë “siguria afatgjate në Kosovë”.
“Ne biseduam gjithashtu për çështjet rajonale, duke përfshirë sigurinë e përhershme në Kosovë. NATO-ja pret që Serbia të ndihmojë në sigurimin e përgjegjësisë së plotë për aktet e dhunshme në maj dhe shtator 2023,” tha Ruge.
Good exchange with President @avucic on NATO #Serbia relations which we hope to see deepened. We also discussed regional issues, including lasting security in Kosovo. #NATO looks to Serbia to help ensure full accountability for the violent acts of May & September 2023. pic.twitter.com/Pkf096abxR
— Boris Ruge (@RugeBoris) August 21, 2024
Në maj 2023, më shumë se 90 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, u plagosën rëndë dhe lehtë në trazirat para komunës së Zveçanit në veri. Atij sulmi i paraprinë tensionet më 26 majit, kur grupe të serbëve lokalë u mblodhën para ndërtesave komunale në veri të Kosovës, duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.
Ndërkohë, në një sulm të armatosur në shtator 2023, përgjegjësinë për të cilin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe Millan Radoiçiq, në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, mbeti i vrarë një polic i Kosovës.
Vuçiq, ndërkohë, tha më vonë në një postim në Instagram se takimi i tij me Ruge ishte “i mirë”, dhe me të bisedoi për ndikimin e mundshëm “vendimeve të njëanshme të regjimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”.
“Shpreha shqetësimin e madh për tendencën për të komplikuar situatën përkundër të gjitha përpjekjeve të Beogradit për t’i kthyer çështjet e hapura në kornizën e dialogut. Gjithashtu, theksova se rreziku i vazhdueshëm i përshkallëzimit të tensioneve që Prishtina provokon rregullisht me vendime dhe sjellje të papërgjegjshme ndikon shumë në popullin serb në Kosovë, i cili jeton në gjendje të frikës së vazhdueshme për jetën dhe pronën e tij”, shkroi Vuçiq.
Ai iu referua vendimeve të muajve të fundit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e disa degëve të Postës së Serbisë në veri dhe synimeve për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe.
Autoritetet kosovare e kanë hedhur poshtë kërkesën e Serbisë dhe Bashkimit Evropian që çështja e urës të diskutohet në dialogun e Brukselit.
Takimi i Ruge me Vuçiqin ndodhi një ditë pasi zyrtari i lartë i NATO-s u prit nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në Prishtinë.
Në takim me Osmanin, Ruge bisedoi për çështjen e urë mbi lumin Ibër në veri, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe.
Pas takimit, Rogue u bëri thirrje autoriteteve kosovare të përmbahen nga veprimet e “njëanshme”.
“Është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat e njëanshme, të cilat mund të krijojnë tensione. Kjo është e rëndësishme për sigurinë afatgjate në Kosovë – për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve – dhe për stabilitetin rajonal”, shkroi Ruge në X.
Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2014, gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë.
Tani ura është e hapur vetëm për këmbësorë dhe ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në të. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.